Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç është tërhequr nga ideja për të vizituar komunitetin serb në Kosovë, me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Nikoliç është shprehur i revoltuar përse misioni evropian EULEX nuk i ka dhënë atij leje, pavarësisht se kishte kohë që e kishte parashtruar kërkesën.

Sipas tij, me këtë veprim ky mision ka treguar se përsa i përket statusit është neutral, por që në momente të caktuara vepron ashtu siç i kërkon Prishtina zyrtare.

“Nuk do të shkoj për Krishtlindje në Graçanicë. Nuk dua që Prishtina të vendosë nëse mund të shkoj apo jo në Kosovën tonë. Është e qartë se EULEX-i pret që autoritetet në Prishtinë ta japin lejen për këtë”, ka thënë Nikoliç.

Duke folur për mediat serbe, presidenti serb ka nënvizuar se, pikërisht për këtë çështje, ai do të ndryshojë qëndrimin ndaj EULEX-it dhe Brukselit.

“Nuk më lejuan të shkoj në Kosovë kur isha përfaqësues i opozitës dhe nuk po më lejojnë as tani kur jam president i Serbisë”, ka shtuar Nikoliç.

Ndërkohë, pak më vonë pas kësaj deklarate, ministri i Brendshëm kosovar Bajram Rexhepi deklaroi se, Prishtina nuk do t’i japë leje Nikoliç për të vizituar Kosovën.

Ky vendim negativ vjen pasi janarin e vitit të kaluar ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, që ishte nisur për të vizituar Luginën e Preshevës, nuk u lejua nga autoritetet policore serbe që të kalonte kufirin.

Ndërkohë misioni EULEX ka reaguar duke deklaruar se nuk është ai përgjegjës për dhënien ose jo të lejes që autoritetet serbe të vizitojnë Kosovën.

“Kërkesa për hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë i dërgohet përfaqësuesit special të BE-së në Beograd. Pastaj zyra e përfaqësuesit të BE-së në Prishtinë ia përcjell atë qeverisë së Kosovës. Edhe përgjigjia merret në të njëjtën mënyrë”, ka thënë zëdhënësja Irena Gudeljeviç.

Top Channel