Pas shkrimeve në media se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç do të takohen në Bruksel, ku do t’u prezantohet ideja për nënshkrimin e një traktati të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar lëvizja Vetëvendosje.
Zyrtarë të këtij subjekti politik në një konferencë për media kanë deklaruar se Kosova mund të bëjë paqe vetëm me një Serbi të ndryshuar nga kjo e sotmja, e cila po ndërhyn në sovranitetin e Kosovës dhe financon strukturat në veri të saj. Për më tepër, sipas Vetëvendosjes, një traktat i tillë do të ishte një investim për konflikte të ardhshme.
“Çdo nënshkrim i një marrëveshje ku Serbia nuk i bën këto ndryshime, ku nuk e njeh Kosovën dhe financon strukturat e MUP-it në Kosovë, nuk është një traktat i paqes. Kjo është një farsë, nuk është paqe. Kjo është një investim për konflikte të ardhshme në rajon, për të cilat nuk kemi nevojë as ne, as edhe Evropa si e tillë”, deklaroi deputeti i VV, Glauk Konjufca.
Konjufca ka kritikuar edhe Prishtinën e Tiranën zyrtare për mungesë të reagimeve pas tensionimit të situatës në Luginën e Preshevës, ku drejtuesit e shtetit të Serbisë kanë paralajmëruar se do të ndërhyjnë me forcë për të larguar pllakën përkujtimore të dëshmorëve të ish-UÇPMB-së.
“Ajo që po shohim në ditët e fundit është një koordinim shumë i madh i strukturave në veri, i Beogradit dhe i Republikës Serbe në Bosnje dhe nga ana tjetër një çakordim total mes Luginës së Preshevës, Tiranës dhe Prishtinës. Ndërsa në trekëndëshin e parë ka një koordinim maksimal, në trekëndëshin e dytë ka një çakordim maksimal. Ne mendojmë se Tirana dhe Prishtina duhet të bashkëpunojnë ngushtë që të kenë qëndrime të artikuluara në mënyrë eksplicite dhe në formë të kushteve për Serbinë, se si ajo duhet të sillet me shqiptarët e Luginës”, theksoi Konjufca.
Në anën tjetër, Vetëvendosje i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të mos lejojë zyrtarët serbë të bëjnë vizita në Kosovë me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse. Sipas këtij subjekti politik, në rast të ndonjë vizite eventuale ata do të organizohen për të bërë bllokim fizik të rrugëve në ato vende ku mund kalojnë.
Gjatë së premtes, Vetëvendosje ka kundërshtuar edhe vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, e cila ka mundësuar ditë më parë që pronat e dy ish-ndërmarrjeve shoqërore t’i mbeten në pronësi Manastirit të Deçanit.
Top Channel