Pyetja e bërë prej shumë muajsh: nëse Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje, të hënën mori një përgjigje.

Nuk do të ketë bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të paktën gjatë mandatit të Qeverisë aktuale.

AAK, që drejtohet nga Ramush Haradinaj, nuk ka arritur marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës, lider i së cilës është kryeministri Hashim Thaçi.

Pas takimit që është mbajtur herët në mëngjes, AAK ka qenë e para që ka njoftuar përmes një komunikate se nuk është arritur marrëveshje e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, siç thuhet, “në rrethanat e tanishme”.

Arsyet e dështimit nuk janë bërë të njohura, por tashmë dihet se AAK pati kërkuar postin e kryeministrit, dhe kjo nuk ka qenë e pranueshme për PDK-në, e cila ka shumicën në Kuvend.

Pas mos arritjes së një marrëveshjeje, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se hapat e mëtejshem do t’i ndërmarrin në bazë të kushteve dhe rrethanave të reja politike.

“Jemi dakorduar që të punojmë në çështje të përbashkëta të interesit shetëror, ndërsa hapat e tjerë do t’i ndërmarrim në bazë të kushteve dhe rrethanave të reja politike”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Pavarësisht se nuk ka një marrëveshje, AAK bën të ditur se do të vazhdojë të përkrahë Qeverinë e Kosovës në çështje me interes shtetëror, siç janë: dialogu për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, Reformën Zgjedhore dhe Integrimin e Kosovës në BE.

Në anën tjetër, zëvëndëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili me partinë e tij Aleancën për Kosovë të Re bashkëqeverisë me PDK-në, kur është pyetur nëse tani ndihet më i relaksuar pasi nuk do të ketë një hisedar tjetër në Qeveri, tha se asnjëherë nuk e ka pasur problem nëse AAK do të hynte në bashkëqeverisje.

“Unë personalisht gjithmonë kam qenë i relaksuar prej fillimit. Asnjëherë nuk kam ndërhyrë në biseda, spekulime. Ju kam thënë se nuk jemi alergjik të punojmë me çdo kënd që punon për të mirën e qytetarit të Kosovës. Asgjë nuk ka ndushuar sa i përket punës tonë”, tha Pacolli.

Sidoqoftë, zërat për një koalicion të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe AAK-së patën filluar që nga vera e vitit të kaluar dhe ishin shtuar pas lirimit nga Haga të Ramush Haradinajt, i cili u shpallë i pafajshëm nga të gjitha akuzat për krime lufte.

Top Channel