Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, në bashkëpunim me
Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka emëruar atasheun e parë tregtar të
Kosovës në Bruksel.
Nga Prishtina zyrtare ky hap shihet si tepër i rëndësishëm, pasi ky atashe do të ndihmojë në negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Në një konferencë për shtyp, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila tha se: “Detyrat e atasheut do të jenë vënia e kontakteve dhe mbajtja e raportit të drejtpërdrejtë mes MTL-së dhe Drejtorisë së Tregtisë, shkëmbimi i informacioneve për kërkesat dhe plotësimi i standarteve në raport me negocimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë”.
“Për shkak se e shohim si të domosdoshme edhe promovimin e interesave ekonomike të Kosovës në Bruksel, ai do të kryejë edhe funksionin e promovimit dhe prezantimit të resurseve të Kosovës jo vetëm me Belgjikën, se dihet Brukseli është kryeqytet i Evropës, por edhe me organizatat e tjera që funksionojnë në kuadër të shteteve të Beneluksit”, deklaroi ministrja.
E pyetur se kur mund të vendosen edhe atashe të tjerë, Lila premtoi se gjatë këtij viti do të ndodhin edhe emërime të tjera në shtete të fuqishme.
Top Channel