Instituti i statistikave raportoi se pas dy 3-mujorëve të dobët, rritja ekonomike është përshpejtuar në 3-mujorin e tretë.
Sipas INSTAT, gjatë periudhës korrik-shtator, PBB është rritur me 2,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht si pasojë e ecurisë së fortë në grupin e shërbimeve të tjera, ku përfshihet sektori financiar, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia.
Sipas INSTAT, ky grup u rrit me 9,1%, krahasuar me të njëjtin 3-mujor të vitit të kaluar, duke udhëhequr kështu rritjen ekonomike për shkak edhe të peshës së madhe, që ka në PBB-në.
Ecuri pozitive ka vijuar të ruajë edhe sektori i bujqësisë, prodhimi i të cilit sipas INSTAT u rrit me 5,6% në terma vjetorë, ndërsa pas dy 3-mujorësh të dobët edhe aktiviteti industrial ka shfaqur shenja rigjallërimi, duke u rritur në 3-mujorin e tretë me 11,5%.
Rritje të fortë në rend 2-shifror ka patur dhe dega e post-telekomunikacionit, që u zgjerua me 21,6% në ëktë 3-mujor, por për shkak të peshës së vogël që ka në PBB, ndikimi i saj në rritjen totale është relativisht i ulët.
Sektorët e ndërtimit dhe transportit kanë vijuar të tkurren respektivisht me 16,5% dhe 11,5%. Si 9-mujor rritja ekonomike në vitin 2012 shkon në 1,6%, duke mbetur më e ulta që pas vitit 1997, kur Shqipëria ra në recesion.
Kjo ecuri e ekonomisë në 3-mujorët e parë të 2012-s konfirmon thellimin e pasojave të krizës në ekonominë shqiptare, e cila ka ulur ritmet e rritjes në nivelet më minimale.
Top Channel