Zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në katër pika kufitare, është duke shkuar pa probleme.
Kështu thotë udhëheqësi i ekipeve teknike për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Fisnik Rexhepi.
Sipas tij, që nga 10 dhjetori i 2012-ës, kur kjo marrëveshje filloi të zbatohet, fillimisht në Jarinjë e Merdarë, dhe më pas më 31 dhjetor në Bërnjak e te Dheu i Bardhë, nuk ka pasur asnjë ankesë.
Në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, në Jarinjë e Bërnjak, për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, policët kufitarë dhe doganierët e Kosovës vazhdojnë të dërgohen në vendin e tyre të punës përmes helikopterëve të misionit të Bashkimit Europian, EULEX-it.
Por, sipas Rexhepit, pritet që të bëhet një vlerësim i situates së sigurisë, në mënyrë që të shikohen mundësitë, që ata të shkojnë në vendin e tyre të punës përmes rrugëve tokësore të asaj pjese të Kosovës.
Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit pati ngjallur pakënaqësi te serbët e pjesës veriore të Kosovës, të cilët e kundërshtonin këtë me arsyetimin se po vendoset kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sidoqoftë, tashmë janë katër pika kufitare, ku po zbatohet Menaxhimi i Integruar i Kufirit, dhe kanë mbetur edhe dy të tjera, në të cilat MIK do të fillojë më 28 shkurt të këtij viti.
Top Channel