
Incidente të shumta ndëretnike, papunësia, diskriminimi, ngecja e vendit në proceset euro-atlantike, ligji për forcat maqedonase të sigurimit, aksioni policor “monstra” dhe së fundmi kriza politike e shkaktuar pas miratimit të njëanshëm të buxhetit nga mazhoranca, kanë qenë problemet më të mëdha me të cilat është ballafaquar Maqedonia në vitin 2012.
Sipas analistit Kim Mehmeti, viti që lamë pas do të mbahet mend edhe për politikën e theksuar anti-perëndimore të kryeministrit Gruevski dhe pamundësinë e partnerit shqiptar në qeveri, për të çuar përpara proceset integruese.
“Viti 2012, ashtu si dhe shumë vite të mëparshme, mbeti i ngulfatur nga ambiciet e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, që ta pyllëzojë Maqedoninë me sa më shumë përmendore dhe ta rindërtojë nga e para historinë e popullit maqedonas. Ky vit, gjithsesi, do të ketë shenjë njohëse edhe pamundësinë e partive shqiptare që t’i kundërvihen kësaj politike anti-perëndimore të Nikolla Gruevskit. Vitin 2012, Maqedonisë ia hëngrën premtimet e kota të partive shqiptare se do të jetë shumë më mirë kur të shkojmë në NATO dhe BE, nga ana tjetër pamë se këtu ndërtohet vetëm një tenderokraci, ku politikanët marrin gjithçka për vete, ndërsa popullit i mbeten vetëm premtimet e kota”, tha Kim Mehmeti, shef i zyrës së TCH, Shkup.
Viti 2013 e gjen Maqedoninë të përfshirë në krizë politike. Opozita maqedonase do të vazhdojë protestat në rrugë, pas dhunës së ushtruar në Kuvend ndaj deputetëve opozitarë dhe gazetarëve. Në muajin mars priten të mbahen zgjedhjet vendore, por nëse nuk tejkalohet kriza politike, nuk përjashtohet mundësia që, në të njëjtën kohë, të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Mendoj se viti 2013 duhet të ketë shenjë njohëse atë, që shumë politikanë shqiptarë të Maqedonisë duhet të ndalin zullumin, që po i bëjnë popullit të vet, dhe nëse ndodh kjo do të mund të shpresojmë për diçka më të mirë për shqiptarët këtu. Nëse nuk ndodh kjo, mendoj se edhe viti 2013 do të jetë një vit i humbur për shqiptarët, të cilët do të fajësojnë për shumë gjëra politikanët, mirëpo më në fund ndoshta duhet të kuptojmë se për diçka duhet të fajësojmë edhe vetveten, pasi ata politikanë i kemi votuar ne dhe nuk na i ka sjellë ndonjëri nga jashtë”, shtoi Mehmeti.
Analisti Kim Mehmeti shfaqet skeptik edhe se në vitin 2013 do të ndryshojnë gjërat në planin ekonomik për shqiptarët e Maqedonisë, pasi, sipas tij, në buxhetin shtetëror për vitin 2013 nuk janë parashikuar investime në zonat shqiptare, apo projekte për të avancuar mirëqënien e tyre ekonomike.
Top Channel