Akciza, bien të ardhurat

02/01/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se për herë të parë në dhjetë vitet e
fundit buxheti i shtetit po përballet me rënien e të ardhurave nga
akcizat

Sipas shifrave të Ministrisë së Financave deri në fund të 11 mujorit, të ardhurat totale që u mblodhën nga kjo taksë ishin 331.3 milionë dollarë ose 8 për qind më pak se në vitin 2011.

Madje shifra është më e ulët edhe se në vitin 2010. Që pas krizës buxhetore të vitit 2002, të ardhurat nga akciza kanë njohur vetëm rritje.  Përmbysja e tendencës duket e lidhur me rënien e konsumit tek mallrat të fortë.

Sipas shifrave të vetë Ministrisë, zhdoganimet e karburanteve, birrës dhe cigareve në vitin 2012 ishin më të ulëta se dy apo tre vjet më parë. Në disa produkte si karburantet rënia është gati dyshifrore. Por kjo mund të mos jetë arsyeja e vetme.

Vitet e fundit, akciza është taksa e rritur më fort nga Qeveria. Në disa mallra si tek cigaret apo pijet alkolike barra është rritur deri në dy herë. Ndërsa në rastin e karburanteve, edhe pse rritja e akcizës ka qenë më e përmbajtur, barra sërish është rënduar nga të tjera taksa të fshehura si karboni apo qarkullimi.

Ekspertët thonë se rritja e  taksave nxit kontrabandën tek mallrat e ndjeshëm, vecanërisht në kohë të vështira për ekonominë. Por përtej krizës dhe rënies së konsumit, rritja e vazhdueshme e akcizave duket se po fillon të japë efektin e kundërt në buxhet.   

Top Channel