Mbërriti viti 2013

31/12/2012 00:00

Ishulli i Krishtlindjes, Kiribati, në Oqeanin Paqësor është vendi i parë i globit që pret vitin 2013.

“Gremina fiskale” apo “recesioni” janë fjalë që nuk njihen në Azi, ku disa shtete do ta presin me entuziasëm Vitin e Ri. Mianmari për herë të parë do të bëjë numërimin për të pritur fillimvitin. Mbi 50 mijë njerëz parashikohet të mblidhen në Shuedagon Pagoda, në Jangun, për të parë spektaklin e fishekzjarreve, një shenjë që shënon hapjen pas dekadave në pushtet të juntës ushtarake.

Në Xhakarta të Indonëzisë do të zhvillohet një festë e madhe në sheshin qendror të kryeqytetit.

Vendet e shenjta në Japoni po përgatiten për festimet e ndërrimit të viteve.

Në Sidnei të Australise, mijëra njerëz janë mbledhur në anët e “Harbor Brixh”, ku do të shihet spektakli i fishekzjarreve. Këngëtarja Kajli Minog, që do të drejtojë evenimentin e ndërrimit të viteve, përshëndeti të pranishmit: “Jam shumë e gëzuar që kam ardhur në shtëpi.”

Mbi 7 tonë fishekzjarre do të lëshohen nga “Harbor Brixh” dhe shtatë ndërtesa të tjera të qytetit. E gjithë kostoja llogaritet në 6.6 milionë dollarë dhe spektakli do të ndiqet nga një miliardë njerëz në të gjithë botën.
 
Në Brazil, miliona turistë pushtuan plazhet e Rio de Zhaneiros. Janë vendosur katër skena përgjatë plazhit. Epiqendra e festimeve do të jetë plazhi Kopakabana. Spektakli i fishekzjarreve do të zgjasë 16 minuta. Zyrtarët parashikojnë që mbi 2 milionë njerëz do të mbërrijnë në Kopakabana për të festuar.

Në Lindjen e Mesme, ky vit i ri nuk është i qetë. Sirianët po vuajnë pasojat e një konflikti të përgjakshëm që zgjat prej 22 muajsh kundër regjimit të Bashar Al Asad.

Në Europë, Berlini, Londra, Parisi dhe Roma si dhe shumë kryeqytete të tjerë, po presin të kalojnë dallgët e krizës ekonomike me shpresën se ky vit do të japë më shumë zgjidhje. Autoritetet franceze ndaluan fishekzjarret përgjatë natës së ndërrimit të viteve. Kësisoj, mijëra njerëz që mblidhen përreth kullës Eifel dhe Champ Elize do të festojnë pa to.

Top Channel