Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është e gatshme të takohet me
këdo, në këtë rast edhe me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, duke
respektuar mandatin e saj kushtetues dhe ligjor dhe një takim i tillë
mund të ndodhë pas 17 janarit të 2013-s.

Kjo është përgjigja e zëdhënësit të Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiut, pas interesimit të mediave për takimin e mundshëm ndërmjet Presidentes së Kosovës dhe Presidentit të Serbisë.  
 
Vllahiu, në një përgjigje me shkrim dërguar mediave, zbulon për herë të parë se “ditën e fundit të Samitit të Budvës, kabineti i Presidentes së Kosovës është kontaktuar nga kabineti i Presidentit të Serbisë dhe është sugjeruar një takim i drejtpërdrejt ndërmjet Presidentëve të të dyja vendëve”.
 
Po ashtu, sipas tij zonja Jahjaga është kontaktuar nga zyrtarë të lartë të BE-së, ku është biseduar për mundësinë dhe modalitetet e takimit ndërmjet dy presidentëve, si shtysë e procesit të dialogut dhe arritjes e zbatimit të marrëveshjeve që lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe që ndikojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
 
Më tej, zëdhënësi i Presidentes, njofton se “Presidentja Jahjaga u ka sugjeruar liderëve te Bashkimit Evropian që të organizojnë dhe ndërmjetësojnë takimin e parë ndërmjet Presidentes të Republikës së Kosovës dhe Presidentit të Republikës së Serbisë dhe ky takim do të mbahej pas takimit të radhës të kryeministrave Thaçi dhe Daçiç”, që është parashikuar për 17 janar 2013.

Sipas Vllahiut, Presidentja konsideron se dialogu është e vetmja alternativë për gjetjen e zgjidhjeve evropiane, dhe për zbatimin e tyre në funksion të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura.
Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar gjatë së hënës me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku siç njofton Zyra për Shtyp e Presidentes është biseduar për të arritjet e Kosovës në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Jahjaga dhe Thaçi, mirëpritën fillimin e punës për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, duke e konsideruar këtë një sukses të përbashkët dhe një zbatim të standardit evropian, në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve që është në interes të të gjithë qytetarëve dhe që ndihmon vendet e rajonit në rrugën e integrimeve evropiane dhe që forcon paqen e stabilitetin.

Top Channel