Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Deklarata e tij, e përcjellë të dielën nga portali “Telegrafi”, u bë mbrëjen e së shtunës në një intervistën për “Epokën e Re”.
“Një gjë është e sigurt, PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet edhe në mandatin tjetër, por unë nuk dua të jem kandidat për kryeministër”, ka thënë Thaçi.
Ai shtoi se beson që AAK-ja do të jetë pjesë e kësaj qeverie, pasi për këtë ekziston vullnet i dyanshëm për partneritet qeverisës.
I pyetur për pasardhësin e tij, kreu i ekzekutivit të vendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës nuk e ka mohuar mundësinë që Kadri Veseli të jetë kandidati i mundshëm i PDK-së për kryeministër të vendit.
”Z. Veseli dhe një pjesë e madhe e lidershipit të PDK-së kanë kapacitete të fuqishme për udhëheqje, ekzekutive, presidenciale dhe legjislative. Puna e z. Veseli në PDK paraqet energji, kreativitet organizativ dhe ideor për realizimin e qëllimit dhe vizionit europian për PDK-në – Kosovën evropiane”, shtoi thënë Thaçi.
Megjithatë, kryeministri aktual theksoi se partia e tij, e cila “do të fitojë me 100% zgjedhjet”, nuk do ta lëshojë postin e kreut të ekzekutivit, duke përjashtuar kështu mundësinë që Ramush Haradinaj ta pasojë.
Duke folur për ofertën e Haradinajt, ai ka thënë se askush askujt nuk mund t’i bëjë kushtëzime, kurse partneritetet janë vullnete të partive politike.
“Ne jemi takuar me z. Haradinaj dhe kemi biseduar. Është shprehur vullnet të punojmë bashkërisht dhe kemi marrë përgjegjësi për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, për çfarë është ngarkuar edhe z. Shala si koordinator politik nga presidentja e Republikës së Kosovës. Kemi diskutuar dhe jemi dakorduar me z. Haradinajt të bashkëpunojmë për të ardhmen evropiane dhe reformat zgjedhore, ndërsa sa i përket koalicionit nuk kemi biseduar, përpos që është treguar vullnet për një partneritet strategjik në mes PDK-së dhe AAK-së. Ne tani jemi në prag të organizmit të Kuvendit Zgjedhor të PDK-së, i cili do të mbahet më 26 janar të vitit të ardhshëm. Pas këtij kuvendi, organet e partisë do t’i marrin vendimet përkatëse. Partia e cila udhëheq vendin e prezanton ofertën për të tjerët, për t’iu bashkangjitur qeverisë, e jo të tjerët për të”, ka thënë Thaçi.
Top Channel