Mijëra mbështetës të opozitës maqedonase kanë protestuar të shtunën në Shkup para selisë së partisë më të madhe në pushtet, VMRO-DPMNE.

Lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski tha se protesta është organizuar para selisë partiake, sepse brenda saj krijohen politikat jodemokratike që zbaton kryeministri Gruevski i cili po e çon vendin drejt diktaturës.

”Në këto shtatë vite nuk kemi as kryeministër dhe as qeveri të Republikës së Maqedonisë, por kemi kryeministër vetëm të një partie. Për shtatë vite sa është në pushtet VMRO-DPMNE-ja, në mënyrë sistematike po e rrënon shtetin demokratik, duke ndërtuar shtet partiak. Gjithë pushteti është përqendruar në duar të një personi. Sot askush nuk mund të punësohet pa librezë partike, gjithë ata që nuk janë antarë të VMRO-së llogariten si qytetarë të dorës së dytë”, deklaroi ish-kryeministri Crvenkovski.

Cërvenkovski tha se protestat e opozitës nuk do të ndalen, ndërsa viti 2013 do të jetë viti në të cilin, sipas tij, qytetarët do të rrëzojnë nga pushteti diktatorin Nikolla Gruevski.

”Rezistenca kundër kësaj diktature vetëm sa ka filluar. Rrugët, sheshet, parqet do të jenë shtëpia ynë. Nga dita e mërkurë do të organizojmë Parlamentin tonë të hapur në rrugë, ku qytetarët do të shprehin problemet dhe nevojat e tyre”, shtoi ai.

Protesta u organizua pas dhunës së ushtruar nga sigurimi i Kuvendit ndaj deputetëve të opozitës maqedonase ditën e hënë në seancën kuvendore për miratimin e buxhetit shtetëror.

Pas këtyre ngjarjeve skandaloze, lideri i opozitës Branko Cërvenkovski ka tërhequr deputetët nga Kuvendi ndërsa ka bërë thirrje për mosbindje civile në Maqedoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA