Lufta kundër evazionit fiskal, ka detyruar policinë greke të nisë disa operacione speciale dhe kontrolle të rrepta.

Krahas dhjetra arrestimeve të debitorëve, që nuk kanë paguar taksat gjatë këtyre viteve, emrat e të cilëve janë dërguar prej autoriteteve tatimore, tashmë policia greke është autorizuar t’i gjejë debitorët kudo ku mundet, qoftë edhe gjatë kontrolleve rutinë nëpër rrugët e vendit.

Sipas Ministrisë greke të Mbrojtjes së qytetarit, që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, të gjitha patrullat e policisë do të kenë akses në bazën e të dhënave të Ministrisë së Financave, duke gjetur në kohë reale të gjithë personat debitorë ndaj shtetit.

Ministria sqaron se, krahas të dhënave siç janë patenta dhe leja e qarkullimit, drejtuesve të automjeteve, që do të ndalohen nga policia për kontrolle rutinë, do t’iu merret edhe kodi fiskal, për të gjetur nëse personi i kontrolluar është ose jo debitor ndaj shtetit.

Nëse dikush zbulohet të ketë borxhe ose taksa të papaguara, atëherë do të mbahet në arrest deri në likujdimin e debitit, ose deri sa të vendosë gjykata për çdo rast, sqarojnë burime nga kjo Ministri.

Lufta kundër evazionit fiskal pritet të jetë tema e ditës në Greqi gjatë vitit 2013. Greqia renditet si vendi me evazionin më të lartë në vendet e BE-së. FMN dhe Bashkimi Europian i kanë ushtruar presion tepër të madh Athinës zyrtare për uljen e evazionit fiskal dhe korrupsionin e lartë, që ka zaptuar vendin.

Sipas analistëve, evazioni në Greqi është më tepër se 40 miliardë euro në vit. Për shpëtimin e vendit nga falimentimi ekonomik, qeveria ka nisur reforma të thella, të cilat parashikonin uljen e numrit të punonjësve në sektorin shtetëror, liberalizimin e plotë të tregut, uljen e rrogave e pensioneve, por deri tani është bërë shumë pak për parandalimin e evazionit dhe ekonomisë informale.

Vlerësohet se miliarda euro, me prejardhje të dyshimtë dhe të patatuara prej organeve greke, janë depozituar prej shtetasve grekë në bankat zviceriane dhe të vendeve të klasifikuara si parajsa të evazionit fiskal.

Pak ditë më parë, ish-ministri i Ekonomisë, Jorgo Papakonstandinu, u përjashtua nga PASOK dhe ndaj tij pritet të hapet një hetim, pas akuzave se në dijeninë e tij u hoqën emrat e kushërinjve të tij, nga një listë që shefja aktuale e FMN-së, Kristin Langarde, i kishte dorëzuar qeverisë greke, me emrat e depozituesve grekë në bankën HSBC, parà këto, që nuk janë deklaruar dhe tatuar prej organeve tatimore greke.

Top Channel