
Në fund të vitit 2012 Republika e Kosovës duket shumë më ndryshe dhe më
pozitive se sa në vitet e kaluara. Kështu u shpreh kryeministri Hashim
Thaçi në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar për këtë vit, në të
cilën paraqiti punën dhe angazhimet qeveritare për 2012-ën.
“Kosova gjatë këtij viti ka arritur të konsolidohet edhe më shumë si shtet, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm”, deklaroi Thaçi, i cituar nga “RTK”.
Në këtë drejtim Kosova u njoh në javët e fundit të vitit nga tre shtete, ishujt Fixhi, Dominika dhe Pakistani, të cilat ia komunikuan zyrtarisht vendimin e tyre qeverisë së Prishtinës.
Në një deklaratë të publikuar dy ditë më parë në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme pakistaneze, njoftohej se Islamabadi njihte shtetin e Kosovës, një njohje kjo në përputhje me kërkesat dhe aspiratat e popullit kosovar. Interesat e Pakistanit në Kosovë do të mbrohen nga ambasada e Pakistanit në Ankara dhe ambasadori i Islamabadit në Turqi ka edhe statusin si ambasador i Kosovës jorezident.
Ndërsa më 11 dhjetor erdhi njohja nga Shteti i Dominikës (Commonwealth of Dominica), që e konfirmoi vendimin e tij përmes një note zyrtare që i dërgoi Ministrisë së Jashtme në Kosovë. Nota në fjalë u pranua nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe bashkë me të ishte dërguar edhe një letër në adresë të presidentes Atifete Jahjaga.
“Në emër të popullit tonë është kënaqësi t’ju njoftojmë se Dominika njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Përgëzojmë përkushtimin e popullit të Kosovës për të ndërtuar një shtet të pavarur mbi bazën e parimeve të lirisë dhe demokracisë”, thuhej në notën verbale.
Muajin e kaluar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës mbërriti nota verbale që zyrtarizonte njohjen e shtetit ballkanas nga Republika e Fixhit. Lajmin e bëri të ditur dikasteri në fjalë përmes një komunikate për shtyp, në të cilën saktësohej se nota ishte pranuar nga ministri Enver Hoxhaj.
“Në përputhje të plotë me njoftimin e dy ditëve më parë të kryeministrit Hashim Thaçi, për njohjen e Republikës së Kosovës nga ky shtet, nota verbale konfirmon këtë akt të rëndësishëm për shtetin tonë”, thuhej në komunikatë.
Ndërkohë, Kosova është në pritje të njohjes zyrtare nga ana e Egjiptit. Zyrtarët egjiptianë njoftuan përgjatë muajit nëntor se po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e njohjes së Kosovës. Ne deklaratat e lëshuara prej tyre, lihej të kuptohet se kjo njohje do të mbërrijë së shpejti.
Top Channel