
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e fundit për vitin 2012, ku e vetmja pikë e rendit të ditës ishte fjalimi i kryeministrit, Hashim Thaçi e ku ai prezantoi sukseset në punën e ekzekutivit që drejton. Viti që po e lëmë pas për kryeministrin e Kosovës është vit i ndryshimeve të Kosovës.
“Republika e Kosovës në fund të vitit 2012 duket shumë më ndryshe, shumë më pozitive nga vitet e ardhshme. Në kuadër të konsolidimit të shtetit, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Subjektiviteti është forcuar shumë. Ne sapo festuam pavarësinë e Shqipërisë, dhe mendoj se ka qenë festa ku shqiptarët kanë marrë pjesë me krenari”, tha Thaçi.
Më tej kryeministri ka shtuar se deri më tani Kosova është njohur nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, ndërsa njohjen e fundit nga Pakistani e ka vlerësuar si kulmin e njohjeve gjatë këtij viti. Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosova gjatë këtij viti ka shënuar edhe rritjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke vlerësuar si të arritur fillimin e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
“Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës ka filluar të prodhojë efektet e para konkrete, si në sundimin e ligjit, ashtu edhe në lëvizjen e Serbisë drejt njohjes së Kosovës. Fillimi i zbatimit të IBM-së ka qenë rezultati konkret. Më 31 dhjetor do të fillojë puna edhe në Bërnjak dhe tek Dheu i Bardhë. Ky është një instalim i realitetit të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi”, vijoi ai.
Duke folur për ekonominë e Kosovës i pari i Qeverisë ka thënë se Kosova gjatë vitit 2012 ka shënuar rritje ekonomike rreth 4 përqind, kurse ka shtuar se sa i përket integrimit europian më 2013 Kosova do të shënojë progress substancial. Pas kësaj mbledhjeje kryeministri Hashim Thaçi ka organizuar pritje për përfaqësues të mediave, dhe personalitete nga jeta politike e më gjerë, me rastin e fundvitit.
Top Channel