Një grup intelektualësh maqedonas, të udhëhequr nga lideri i opozitës, ish-kryeministri Branko Crvenkovski, marshuan në rrugët e Shkupit për të tretën ditë radhazi të premten.

Manifestime të reja janë parashikuar edhe në ditën e nesërme.

Midis gazetarëve, profesiorëve dhe intelektualëve të tjerë ishte i pranishëm edhe shkrimtari i mirënjohur Vlatko Galevski, i cili i bëri thirrje të gjithë kryetarëve të institucioneve të rëndësishme që të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e Gruevskit.

”Nëse kjo qeveri do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, shpejt do të vijë dita kur teatrot të jenë të mbushur me fshatarë që mendojnë se Shakespeare është ndonjë futbollist”, deklaroi Galevski.

Sipas opozitës, mazhoranca aktuale ka zhytur vendin në varfëri, ka shkurtuar buxhetin në arsim e shëndetësi, ka eliminuar pavarësinë e universiteteve dhe ka ndikuar në rritjen e korrupsionit e mungesës së rendit në mënyrë të skajshme.

Protestat disa-ditore nisën pasi më parë gjatë dhjetorit, një buxhet i shumëpërfolur u kalua vetëm nëpërmjet votave të mazhorancës.

Pas ngjarjeve të ditëve të fundit, partia shqiptare në pushtet BDI, i ka bërë thirrje opozitës maqedonase që të ulë tensionet.

Në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga partia e Ali Ahmetit thuhet se konfrontimet politike në asnjë mënyrë nuk guxojnë të kërcënojnë funksionet themelore të shtetit si dhe mirëqënien e qytetarëve.

Ndërkohë, ka reaguar edhe presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, i cili ka shprehur keqardhje për përballjet fizike që kanë ndodhur, duke thënë se ngjarjet e të tilla nuk duhet të përsëriten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA