Një person i shumëkërkuar nga Sllovakia për shkak të përfshirjes së tij
në një rrjet të gjerë të trafikut të drogës është ekstraduar sot në këtë
vend nga Kosova, me ndihmën e misionit EULEX.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë misioni evropian për rendin dhe ligjin përmes një komunikate për shtyp, ku saktësohet se personi i ekstraduar është Baki Sadiki.

Sipas burimit, Sadiki, i pajisur me shtetësi sllovake dhe serbe, u arrestua në Kosovë në tetor të këtij viti në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Interpol, me kërkesë të Bratisllavës zyrtare.

Vendimi për ekstradim është marrë nga ministri i Drejtësisë, pas vendimit që mundësoi dorëzimin e tij nga gjykata e qarkut në Gjilan, që u mbështet edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.

“Ekstradimi i Baki Sadikit tregon përkushtimin për luftën ndaj krimit transkombëtar dhe për luftën kundër pandëshkueshmërisë, me qëllim që të mbizotërojë drejtësia”, thuhet më tej në komunikatën e EULEX.

Top Channel