
Shefi i zyrës serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin ka deklaruar se, Serbia nuk do t’i heqë kurrë institucionet e saj nga Kosova dhe as do të reduktojë praninë e tyre.
Deklaratën e tij zyrtari serb e ka bërë gjatë një vizite në fshatin Vërbovc. “Qytetarët e kësaj pjese jetojnë keq dhe nën presionin e institucioneve të përkohshme të Prishtinës”, ka thënë Vulin.
Deklarata e tij vjen në një moment kur pritet që platforma serbe për Kosovën të votohet në Parlament vetëm në parim dhe jo në tërësi.
E ndodhur përballë presionit të fortë të ndërkombëtarëve kundër saj, Beogradi zyrtar njoftoi më herët gjatë muajit rishikimin e përmbajtjes së saj.
Lajmi u bë i ditur nga vetë kryeministri serb Ivica Daçiç, i cili njoftoi gjithashtu se bisedimet me Kosovën do të vazhdjnë, pas kërcënimit për braktisjen e tyre.
Varianti i platformës, i prezantuar më 21 dhjetor, parashikon që Serbia të kërkojë që të ketë një status të veçantë autonomie për të gjitha komunat serbe, edhe për fshatrat në jug të Kosovës, lidhje speciale dhe kompetenca në edukim, kulturë, energjetikë e siguri.
Ndërkaq, është interesant fakti që Serbia do të kërkojë që për sigurinë e serbëve të përkujdeset Ushtria e Serbisë, ndërkombëtarët dhe Ushtria e Shqipërisë.
Gjithashtu, serbët duhet të kenë një gjykatë të shkallës së parë dhe një kuvend, por në asnjë moment nuk përmendet nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndonëse të drejtat kërkohen për serbët dhe nuk është ofertë për autonomi të shqiptarëve.
Nga ana e saj Prishtina zyrtare deklaroi se platforma serbe nuk do të pranohet asnjëherë dhe se nuk do të ketë as ndarje e as autonomi për veriun.
Top Channel