Kosova dhe Shqipëria pritet të bashkëpunojnë për të bërë edhe një lidhje tjetër ndërmjet tyre. Përveç rrugës së kombit, në të ardhmen edhe përmes hekurudhës, Kosova dhe Shqipëria pritet të afrohen më afër njëra-tjetrës.
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka bërë të ditur se për Kosovën janë të përballueshëm 18 kilometra hekurudhë dhe, pas takimit me drejtues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka sinjale pozitive se shtetet mund të ofrojnë programet e tyre, e për këtë do të bashkëpunojnë me Shqipërinë.
“Pas takimit me BERZH, kemi sinjale shumë pozitive, që shtetet mund të ofrojnë programet e tyre. Ne tashmë do bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë, në mënyrë që të bëjmë propozimet e kërkesat tona në kohë, dhe besojmë se këto projekte do të hyjnë në axhendën e zhvillimit ekonomik të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit”, tha Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës, Kosovë.
Këtë njoftim, z. Mujota e bëri në konferencën e fundvitit, ku paraqiti arritjet e ministrisë që drejton, ku sipas tij është shpenzuar rreth 100% e buxhetit.
Duke folur për autostradën “Ibrahim Rugova”, Mujota bëri të ditur se do të përfundojë në vitin 2013, me segmentin deri në fshatin Besi të Podujevës, ndërsa vazhdimi deri në Merdarë, në kufi me Serbinë, është një projekt më vete dhe pret mbështetjen e Komisionit Europian.
“Vazhdimi i rrugës për në Merdarë, përkatësisht korridori shtatë, mbetet çështje e diskutimeve. Teknikisht jemi të përgatitur, është një paraprojekt për këtë, por është një projekt më vete, që kërkon buxhet të caktuar, dhe besoj se KE-ja do të na përkrahë në këtë”, tha Fehmi Mujota.
Mujota ka thënë, ndër të tjera, se në vitin 2013 kjo ministri do të ketë buxhet prej 310 milionë eurosh, pra rreth 11% më shumë se në 2012.
Nga ky buxhet, 306 milionë euro do të shfrytëzohen për projekte kapitale, ku parashikohet edhe fillimi i autostradës nga Prishtinë për në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë, si dhe në dhjetra rrugë magjistrale e lokale.
Top Channel