
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i harrojnë akuzat e bëra në adresë të njëra-tjetrës para se Haradinaj të shkonte në Hagë.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci madje nuk dëshiron as të pyetet për letren e hapur publike që ja kishte dërguar Haradinajt në qershor të 2009-ës. Në këtë letër Grabovci e cilëson Haradinajn si anën e errët të politikës në Kosovë. Ai e quan, kërcënues, zhvatës të qytetarëve e bizneseve në Kosovë.
Sot kur këto dy parti janë gati për të lidhur koalicion qeverisës, Grabovci gjen fjalët më të mira për Ramush Haradinajn. Grabovci heq dorë edhe nga kërkesa që Haradinaj të sqarojë prejardhjen e pasurisë së tij.
Ndërkaq i pyetur nga Top Channel nëse mendon ende që kreu i AAK-së është i përfshirë në kontrabandimin e mallrave nga veriu, sic e kishte shkruar në letrën publike, shefi i PDK-së, nuk e përjashton mundësinë që mund të ketë bërë gabime në vlerësime.
Në valë të njëjta akuzash është ndodhur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i saj Ramush Haradinaj kishte thënë se SHIK-u është organizatë kriminale, pasi nuk është askund e regjistruar me ligj dhe i ka shërbyer vetëm Partisë Demokratike të Kosovës.
Më vonë deputeti i AAKsë Burim Ramadani do të kërkonte krijimin e një komisioni parlamentar për ta hetuar gjithë veprimtarinë e SHIK-ut. Në një konferencë Ramadani iu shmang pyetjes rreth kësaj teme. Ndërsa prezantoi vizionin e AAK-së në fushën e sundimit të ligjit, Ramadani nuk e mohoi interesimin e tij për të drejtuar Ministrinë e Brendshme si rrjedhojë e marrjes së përgjegjësive në qeverisjen me PDK-në.
Akuza të tjera, por të mbetura nën hijen e dëshirës për bashkëqeverisje janë edhe deklaratat e Ramush Haradinajt se Hashim Thaci punon për interesa personale duke e akuzar se ka manipuluar me përzgjedhjen së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
E po kështu edhe se sulmi me shishe molotovi në objektin e qeverisë në qershor të 2009-ës i bërë nga veteranët e UCK-së ka qenë nxitur nga AAK-ja.
Top Channel