Nuk kanë të ndalur sulmet kundër qytetarëve serb të veriut të cilët punojnë për institucionet e Kosovës. Policia rajonale e Mitrovicës konfirmoi se një makinë e një pjesëtari serb të policisë së Kosovës është djegur tërësisht.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mesnatës dhe bëhet fjalë për makinën e policit Slavisha Filipovic. Policia nuk ka mundur të identifikojë autorët e sulmit dhe ende nuk dihen motivet.

Sidoqoftë zëdhënësi i policisë për Mitrovicën, Besim Hoti tha se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas tij ky sulm është në vazhdën e sulmeve kundër qytetarëve të cilët punojnë për institucionet e Kosovës.

Të shtënat me armë po kështu janë bërë pjesë e zakonshme e jetës në veri të Kosovës. Zëdhënësi i policisë tha se rreth orës 12 pas mesnate janë dëgjuar të shtëna armësh dhe si pasojë sërish janë shkaktuar dëme në një veturë të një qytetari të përkatësisë etnike serbe.

Hetimet për të dy këto raste janë duke vazhduar.

Top Channel