Të paktën dy të tretat e egjiptianëve aprovuan Kushtetutën e re të vendit. Komisioni Zgjedhor deklaroi se 63,4 % e votuesve votuan pro dokumentit themeltar, përgjatë dy fazave të procesit, që u zhvilluan më 15 dhe 22 dhjetor.
Pjesëmarrja ishte 32,9%. Shpallja e rezultatit u transmetua drejtpërdrejtë nga televizioni shtetëror Nili Njuz. Presidenti i Komisionit Zgjedhor, Samir Abul Mati, hodhi poshtë akuzat e opozitës për manipulim të zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e dy partive opozitare në Egjipt, Partia “Uafd e Re” dhe ajo e “Egjiptianëve të Lirë”, thanë se një prej arsyeve, që nxorri triumfuese votën “po” në këtë referendum, ishte se dokumenti u aprovua nga të moshuarit dhe jo nga të rinjtë.
Përfaqësuesi i opozitës, Muhamed El Baradei, fitues i çmimit Nobel për Paqen, gjatë një interviste për PBS NewsHour, tha se Kushtetuta do të institucionalizojë pasigurinë.
“Është një dokument tejet polarizues, – tha ai. – Përcakton vlerat bazë, me të cilat ne jetojmë, siç është liria e fesë, ajo e shprehjes, pavarësia e sistemit gjyqësor. Jam i bindur, – tha El Baradei, – se nuk është kjo rruga për të ecur përpara”.
Kritikët thanë se dokumenti tradhëton revolucionin, që rrëzoi nga pushteti, në shkurt të vitit të kaluar, ish-presidentin Hosni Mubarak, i cili qëndronte prej 30 vjetësh në pushtet. Sipas tyre, presidenti hartoi një tekst, që favorizon islamikët dhe nuk mbron të drejtat e grave apo të të krishterëve, që përbëjnë 10% të popullsisë.
Përkrahësit e presidentit Mohamed Mursi thonë se Kushtetuta e re do të sigurojë demokracinë, do të mund të zhvillohen brenda dy muajve.
Top Channel