Partitë politike dhe deputetët në Kosovë kanë qendrime të ndryshme sa i përket akuzave në media se Presidentja e Kosovës “ka shkelur” Kushtetutën kur emëroi deputetin e AAK-së, Blerim Shala si koordinator të dialogut Kosovë – Serbi.

Sipas ekspertëve të çështjeve juridike, emërimi i Shalës nuk ka mbështetje as kushtetuese e as ligjore, sepse Shala si deputet i Kuvendit të Kosovës nuk ka të drejtë të pranojë detyra nga ekzekutivi.

Të pyetur për këtë çështje në Partinë Demokratike të Kosovës mbështesin hyrjen e zotit Shala në dialog, ndërsa janë institucionet përkatëse ato që bëjnë interpretimin e Kushtetutës.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi duke folur vetëm në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar për legjislacion, thotë se nuk ka bazë ligjore për të bërë një emërim të tillë, kurse në Vetëvendosje deklarojnë se sikurse e vlerësojnë se vet procesi i dialogut me Serbinë është anti-kushtetues dhe nëse del që edhe emërimi i Shalës të jetë i tillë atëherë kjo i jep dimension shtesë kësaj.

Ende nuk dihet nëse LDK apo Vetëvendosje do të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me këtë çështje. Por, ndryshe nga dy kolegët e tij opozitare mendon shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini i cili vlerëson emërimi i bashkëpartiakut të tij nga Presidentja në detyrën e koordinatorit nuk është shkelje e Kushtetutës sepse sipas tij ky post nuk është ekzekutiv.

Sidoqoftë, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala ka marrë detyrën e koordinatorit para një muaji nga ana e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.  

Top Channel