Kushtet e presidentit venezuelian, Hugo Chavez, janë “përmirësuar paksa”, pas operacionit të tij të fundit për heqjen e masës tumoriale në Kuba, bën të ditur ministri i Komunikacionit të Venezuelës.
Chavez iu nënshtrua ndërhyrjes së katërt kundër kancerit më 11 dhjetor, por pësoi një infeksion në rrugët e frymëmarrjes. Presidenti, i cili mban këtë post që prej 1999, fitoi edhe një tjetër mandat 6-vjeçar, në zgjedhjet presidenciale të tetorit. Chavez, 58 vjeç, pritet të rikthehet në postin e tij më 10 janar.
Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, ishte në Kuba gjatë fundjavës, por nuk foli me reporterët, teksa një ftesë e qeverisë kubaneze ndaj mediave, për të mbuluar mbërritjen dhe largimin e tij, u anulua.
Morales pritet të lëshojë një deklaratë për kushtet e Chavez-it. Pamundësia e tij për të folur, përgjatë këtyre 2 javëve, ka ngritur shqetësime serioze mbi shëndetin e tij, si dhe për aftësinë e tij për të qenë i pranishëm në ceremoninë e betimit.
Por, në një deklaratë të shkurtër televizive, të hënën, ministri i Komunikacionit, Ernesto Villegas, tha: “Pacienti ka treguar shenja të pakta përmirësimi”. Kushtetuta venezueliane thekson se zgjedhje të reja do të mbahen brenda 30 ditësh, nëse ka një “mungesë totale” të presidentit.
Top Channel