Mijëra pelegrinë të krishterë, nga e gjithë bota, janë duke festuar lindjen e Jezusit në Betlehem.
Dita kulmoi me Meshën e prag-Krishtlindjes në Kishën 1700-vjeçare të Lindjes, të ndërtuar në vendin ku besohet se Jezusi u lind.
Si çdo vit, edhe në Tiranë është kremtuar Mesha e Krishtlindjes në
katedralen e Shën Palit, meshë e cila u mbajt nga Imzot Rrok Mirdita. “Kremtojmë sot ngjarjen më të madhe në historinë e njerëzimit. E presim
këtë ditë, siç e kemi traditë ne shqiptarët, me përulësi”, tha Imzot
Rrok Mirdita.
Në Betlehem, kreu i Kishës Katolike Romane në Jeruzalem, shprehu mbështetjen e tij për shtetin palestinez.
Ndërkohë, në Vatikan, Papa Benedikti XVI, mbajti meshën tradicionale në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa nxiti të krishterët të “gjejnë kohë dhe hapësirë për Zotin, në jetët e tyre, që ikin shpejt”.
Papa Benedikti u lut që izraelitët dhe palestinezët të kenë mundësi të jetojnë në paqe.
Ai u lut gjithashtu për paqe në Liban, Siri dhe Irak.
Mesha, zakonisht e mbajtur në mesnatë, u soll përpara me 2 orë, për të shmangur lodhjen e Papës 85-vjeçar.
Më herët gjatë së hënës, Patriarku Latin, Fouad Twal, tha se Krishtlindja duhet të jetë një festë “e lindjes së Krishtit, lordit tonë, dhe e lindjes së shtetit të Palestinës”. “Rruga për krijimin e shtetit të mirëfilltë mbetet ende e gjatë, si dhe do të kërkojë një përpjekje të përbashkët”, tha ai.
Patriarku, i cili u lind në Jordani, udhëhoqi procesin simbolik nga qyteti i vjetër i Jeruzalemit drejt qytetit West Bank, duke kaluar përmes barrierave ndarëse dhe pikave të kontrollit të izraelitëve.
Ai u prit në kishën në sheshin Manger, nga mijëra turistë, pelegrinë dhe klerikë. Patriarku mbajti më vonë edhe Meshën në Kishën e Lindjes.
“Nga ky vend i bekuar, ftoj të gjithë politikanët dhe njerëzit, që kanë dëshirë të punojnë me vendosmëri për paqen dhe pajtimin, të përfshijnë Palestinën dhe Izraelin në mes të të gjitha vuajtjeve në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Top Channel