Situatë e tensionuar paraqitet ditën e sotme përpara selisë së
Parlamentit maqedonas, në Shkup, ku deputetët e opozitës janë vendosur
që prej ditës së djeshme në shenjë proteste kundër miratimit të
buxhetit.

Para selisë së legjislativit janë vendosur gjithashtu forca të shumta policore për të shmangur një konfrontim eventual të eksponentëve të opozitës me ata të mazhorancës, njofton “REL”.

Deputetët e opozitës, të cilët e kanë kaluar natën jashtë mureve të Parlamentit, kundërshtojnë miratimin e buxhetit për vitin 2013, pas refuzimit të kërkesës së tyre për shkurtimin e 200 milionë eurove, që sipas tyre qeveria do t’i shpërdorojë.

Nga 1.200 amendamente që kishte propozuar qeveria jashtë proçedurës parlamentare, janë miratuar vetëm disa prej tyre. Ndërsa në seancën e mbrëmshme u hartua një version i ri i buxhetit, që u bë edhe shkas për bllokimin e Kuvendit nga opozita.

Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski tha dje para masës, se është i gatshëm për gjithçka dhe hodhi akuza ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Sikur edhe meteorë të bien, ne do të durojmë. Nuk largohemi prej këtej. Gruevski dëshiron të vrasë demokracisë, por ne këtë nuk do ta lejojmë. Duan luftë? Do ta kenë!”, tha ish-presidenti.

Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski i bëri thirrje opozitës që të heqë dorë nga bllokadat dhe të lejojë miratimin e buxhetit, pasi në të kundërt, sipas tij, do ta pësojnë qytetarët e Maqedonisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA