
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer ka thënë se platforma e
Beogradit për Kosovën tregon se autoritetet serbe vazhdojnë të jetojnë
në fantazi.
“Fantazia më e madhe në këtë platformë është se Kosova mbetet krahinë autonome e Serbisë dhe se Serbia do të ketë sovranitet mbi Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë sepse nuk është aspak realiste”, ka thënë Serwer për “REL”.
Ai po ashtu ka hedhur poshtë deklaratat e Beogradit se me platformën në fjalë, Serbia heq dorë nga ndarja e Kosovës.
“Jo, nuk pajtohem me këto vlerësime, sepse mendoj se kjo, pa më të voglin dyshim, është plan për ndarjen e Kosovës”, ka thënë Serwer.
Sipas tij, autoritetet në Beograd bëjnë sikur po u përgjigjen kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për largimin e institucioneve të paligjshme serbe nga Kosova, por në fakt këto institucione vetëm sa i legalizojnë.
“Ato po ashtu propozojnë që komuniteti serb në Kosovë në asnjë mënyrë të mos udhëhiqet nga institucionet e Prishtinës, por ato të Beogradit. Ndaj, platforma bashkon komunitetin dhe në këtë mënyrë krijon ndarjen”, ka shtuar Serwer.
Platforma e Serbisë për Kosovën u paraqit javën e kaluar në mbarë opinionin publik serb si punë thuajse e kryer dhe dukej se pritej vetëm zbatimi i saj.
Përmes saj Serbia kërkon që të ketë një status të veçantë autonomie për të gjitha komunat serbe, jo vetëm për ato të veriut, por për qytetet dhe fshatrat në jug të Kosovës, lidhje speciale dhe kompetenca në edukim, kulturë, energjetikë e siguri.
Ndërkaq, është interesant fakti që Serbia kërkon që për sigurinë e serbëve të përkujdeset Ushtria e Serbisë, ndërkombëtarët dhe Ushtria e Shqipërisë. Këtu Kosova duket se nuk ka asnjë punë.
Por duke parë reagimet kundër të ndërkombëtarëve, ditën e shtunë Serbia vendosi ta ndryshojë platformën në disa pika dhe deklaroi se nuk do të ndërpresë bisedimet me Kosovën.
Biserko: Platforma, humbje kohe
Edhe kryetarja e Komitetit Serb të Helsinkit, Sonja Biserko është shprehur kundër kësaj platforme, e cila sipas saj është vetëm humbje kohe.
“Beogradi nuk mund të presë më shumë se ajo që parashikohet në planin Ahtisari. Është çështje tjetër se kur Beogradi do të pajtohet me realitetin në Kosovë”, ka thënë Biserko.
“Platforma përbën një lloj regresi, sepse ajo e trajton Kosovën thuajse sikur s’ka ndodhur asgjë, sikur pavarësia e saj nuk njihet dhe nuk flitet fare për një lloj përmirësimi për jetën e serbëve në veri”, ka thënë ajo.
Petroviç: Platforma, jashtë realitetit
Zëvendëskryeministri serb i Kosovës, Sllobodan Petroviç deklaroi të shtunën se platforma serbe për Kosovën është një dokument që nuk përputhet me realitetin dhe që sipas tij duhet ndryshuar.
“Nuk kam pasur mundësi ta shoh këtë dokument, por nga sa kam parë në gazeta mund të them se kjo platformë është jashtë realitetit dhe duhet të ketë vend për ndryshime”, tha Petroviç.
Sipas tij, vetë fakti që dokumenti në fjalë quhet “platformë” tregon se ai nuk është harmonizuar në institucionet e Republikës së Serbisë.
Jacobson: Platforma e Serbisë, copë letre
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson tha fundjavën e kaluar se platforma e Serbisë është thjesht një shpërqendrim i padobishëm dhe një copë letër.
“Kemi shpresa të mira për të ardhmen. Gjithçka tjetër, siç është edhe kjo platformë që po e përmendni, unë e shoh si shpërqendrim të padobishëm”, tha Jacobson.
“Më vjen shumë mirë qeveria këtu ka deklaruar se nuk do të lejojë të shpërqendrohet nga një copë letër”, shtoi ambasadorja për gazetën “Kosova Sot”.
Top Channel