Meksikë, vriten 4 agjentë policie

24/12/2012 00:00

Persona të armatosur kanë zënë pritë dhe kanë vrarë katër agjentë policie në perëndim të Meksikës, kanë njoftuar autoritetet lokale.

Ato thonë se agjentët iu përgjigjën një thirrjeje për një incident trafiku në një zonë rurale të shtetit të Mikoaçanit, kur atentatorët hapën zjarr.

Prita ndaj policisë ishte ngritur mes qyteteve Brisenas dhe Sahuajo dhe veç 4 viktimave pesë agjentë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Për momentin asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, që dyshohet të ketë lidhje me trafikun e drogës.

Kalorësit Templarë dhe Gjenerata e Re janë dy kartelet që kontestohen mes tyre për kontrollin e narkotikëve në Mikoaçan.

Më herët gjatë muajit, shefi i policisë në qytetin Brisenas dhe tre oficerë të tjerë u rrëmbyen nga persona të paidentifikuar dhe konsiderohen ende të humbur.

Rreth 60 mijë persona kanë vdekur në Meksikë që prej vitit 2006, kur ish-presidenti Felipe Calderon vendosi ushtrinë kundër grupeve të drogës.

Më herët gjatë muajit, presidenti Enrique Pena Nieto njoftoi krijimin e një force të re kombëtare në kuadër të përpjekjeve për të frenuar krimin dhe dhunën.

Zoti Pena Nieto, që mori drejtimin e zyrës më 1 dhjetorit, tha se forca e re ushtarake fillimisht do të përbëhet nga 10 mijë operativë.

Ndërkohë, 60 mijë të vrarëve nga dhuna e drogës u shtohen edhe 20 mijë personat e zhdukur në 6 vitet e fundit, për të cilët nuk ka asnjë gjurmë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB