
Këshilltari i presidentit serb, Marko Gjuriç ka deklaruar se në klasën
politike të Beogradit nuk ka ndasi përsa i përket përmbajtjes së
platformës për Kosovën.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Daçiç se, platforma nuk është një letër e shenjtë, Gjuriç ka thënë se kreu i qeverisë nuk synonte ta cilësonte këtë dokument si jo real.
“Lidhur me këtë temë janë mbajtur konsultime muaj më parë, ku kanë qenë të përfshirë të gjithë aktorët. Në çdo takim ka pasur polemika, por nuk do të ishte mirë që të kishte konflikte lidhur me këtë proçes të rëndësishëm”, ka thënë Gjuriç.
Këshilltari i presidentit Nikoliç ka shtuar më tej se, është hartuar plani për ndërprerjen e bisedimeve teknike me Kosovën dhe se është rënë dakord që gjatë dialogut të mos pranohen marrëveshje që nuk janë në përputhje me platformën.
Deklarata e Gjuriç bie ndesh me raportimet e mediave serbe në fundjavë se, Serbia do ta ndryshojë platformën në disa pika dhe se nuk do të ndërpresë bisedimet me Kosovën.
Problemet e platformës, në të cilat kërkohet krijimi i një entiteti të veçantë të serbëve të Kosovës, e kishin bërë atë, sipas mediave serbe, të pazbatueshme.
Megjithatë, kryeministri Ivica Daçiç tha se bisedimet me Kosovën do të vazhdojnë dhe se ky dokument paraqet qëndrimet e qeverisë, por edhe të presidentit.
Edhe Vincent Degert, ambasador i BE-së në Serbi, tha se kjo platformë kishte nevojë për disa ndryshime. Kurse analisti, Nenad Gjurgjevic theksoi se kjo platformë dukej obliguese dhe në këtë mënyrë mund t’u lidhë duart negociatorëve.
Top Channel