Zëvendëshefi i EULEX-it, Andy Sparks kërkon nga institucionet e Kosovës që të përmirësojnë sistemin e prokurimit publik, në mënyrë që të krjohet efikasitet në shfrytëzimin e fondeve publike.

Në takimin e Këshillit Kombëtar Antikorrupsion, Sparks tha se çështjet e korrupsionit të cilat EULEX i ka identifikuar ndërlidhen me prokurimin publik, ku vazhdon të mbizotërojë mungesa e transparencës.

“Këtu askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk duhet t’i shmanget drjetësisë. Kosova nuk duhet t’ia lejojë vetes korrupsionin, rritja e korrupsionit varet nga rritja e investimeve nga jashtë dhe varet nga besimi i krijuar, që nga biznesi nuk do të krijohet mitmarrje”, deklaroi Sparks.

“Prokurimi gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një nga problemet më të mëdha, sepse sistemi është shumë i komplikuar dhe ka shumë lojtarë brenda këtij proçesi. Nuk ka transparencë të mjaftueshme dhe shumë çështje korruptive të cilat i shohim në EULEX rrjedhin nga çështjet e prokurimit”, theksoi ai.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nën drejtimin e të cilës është ky trup institucional, po kështu u ndal te prokurimi publik si një nga fushat që kërkon ndryshim. Presidentja kërkoi që vullneti politik, i cili sipas saj ekziston, të përkthehet në rezultate konkrete nga të gjithë.

Më i ashpër u tregua kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili tha se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë luftë të mjaftueshme. Pasuria e paligjshme, sipas tij, shihet nga avioni, ndërsa mafia e instaluar në vend do të kërkojë sakrificë të madhe për çrrënjosje.

Një qasje më të butë tregoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili premtoi se do të qëndrojë në ballë të luftës kundër korrupsionit, e cila sipas tij ka kohë që ka nisur dhe do të vazhdojë.

Në këtë takim raportuan edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ai i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ndërsa ministri i Brendshëm, duke iu referuar rasteve në ministrinë e tij, tha se korrupsioni duhet të goditet nga brenda, Hajredin Kuçi foli për ligjet që Ministria e Drejtësisë ka proçeduar e që sipas ministrit përbëjnë themelet e luftës kudnër korrupsionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA