Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç takon serbët e Kosovës për platformën serbe dhe priten mendimet e fundit për ta çuar paketën në proçesin e bisedimeve.

Platforma e Serbisë për Kosovën është paraqitur në mbarë opinionin publik serb si punë thuajse e kryer dhe duket se pritet vetëm zbatimi i saj.

Serbia do të kërkojë që të ketë një status të veçantë autonomie për të gjitha komunat serbe, jo vetëm për ato të veriut, por për qytetet dhe fshatrat në jug të Kosovës, lidhje speciale dhe kompetenca në edukim, kulturë, energjetikë e siguri.

Ndërkaq, është interesant fakti që Serbia kërkon që për sigurinë e serbëve të përkujdeset Ushtria e Serbisë, ndërkombëtarët dhe Ushtria e Shqipërisë. Këtu Kosova duket se nuk ka asnjë punë.

Gjithashtu, serbët duhet të kenë një gjykatë të shkallës së parë dhe një kuvend, por në asnjë moment nuk përmendet nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndonëse të drejtat kërkohen për serbët dhe nuk është ofertë për autonomi të shqiptarëve.

Krerët e Serbisë janë mbledhur për të diskutuar këtë çështje dhe presidenti Tomisllav Nikoliç ka takuar edhe krerët e opozitës, kryebashkiakun e Beogradit, Dragan Gjillas, i cili udhëheq demokratët, liberaldemokratin Çedomir Jovanoviç dhe radikalin Vojisllav Koshtunica.

Ndërkohë, nga Prishtina zyrtare në ditët e fundit është deklaruar se platforma serbe nuk do të pranohet asnjëherë dhe se nuk do të ketë as ndarje e as autonomi për veriun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA