Një prej neneve, që përmban paketa e masave të kursimit, që ka votuar parlamenti grek si kusht për marrjen e ndihmës financiare nga BE dhe FMN, është edhe ndërprerja e gjithë pensioneve të homogjeneve grekë nga Shqipëria.
Bëhet fjalë për pensionet e 18,000 personave, që kishin mbushur moshën dhe merrnin pensionin minimal prej 330 eurosh nga Instituti i Sigurimeve Agrare, OGA.
I pyetur për Top Channel, zëdhënësi i Ministrisë greke të Punës, Sotiris Pikulas, ka pohuar se kjo masë është e imponuar nga kreditorët e huaj të Greqisë. Por, në deklaratën e tij, ai ka sqaruar se në ditët e ardhshme ka mundësi që të rishikohet ky vendim i qeverisë dhe se po bëhen përpjekje, që mbështetja financiare për këtë pjesë të popullsisë, të bëhet nga një skemë tjetër pensionesh e jo nga Instituti Agrar.
Mediat greke kanë publikuar orët e fundit edhe pyetjen, që u ka drejtuar deputeti i Demokracisë së Re, Janis Mihelakis, gjithë ministrave të qeverisë, të cilët i ka ftuar në interpelancë, duke iu kërkuar të mos hiqen pensionet për grekët minoritarë të Shqipërisë, pasi në këtë mënyrë, personat që e përfitojnë atë nuk do të mund të përballojnë kushtet e vështira të jetesës.
Deputeti konservator, që ka kërkuar një mënyrë të re mbështetje financiare për homogjenët, ka deklaruar tekstualisht se “nëse vorioepiriotëve do t’u hiqet pensioni prej 330 eurosh, kjo do të jetë një plagë e pashërueshme për ta dhe familjet e tyre, aq më tepër, që humbasin edhe të drejtën e sigurimit shëndetësor, në një moment që më shumë se kurrë kanë nevojë për të, pasi janë të gjithë të moshuar”.
Z. Mihelaki ka theksuar se në një moment, kur kryeministri shqiptar Sali Berisha këmbëngul në deklaratat e tij për Shqipërinë e madhe, Greqia ka për detyrë të marrë gjithë masat, që mos shkaktojë një ulje të nivelit të jetesës së homogjenëve si dhe rrezikun e çrrënjosjes së tyre, nga vendi ku kanë lindur.
Greqia ka filluar të japë pensione për më shumë se 20,000 minoritarë grekë, mbi 65 vjeç, qysh prej vitit 1988. Por, pas regjistrimit të fundit të tyre, këtë pension e përfitojnë rreth 18,000 persona, prej të cilëve një pjesë e mirë jetojnë edhe në Shqipëri.
Top Channel