Partia Demokratike e Kosovës ka filluar procesin e zgjedhjeve për strukturat drejtuese të saj për degën e Prishtinës, pasi ditë më parë ato u mbajtën nëpër nëndegët e kësaj komune.

Gjatë së enjtes kanë filluan punimet për të zgjedhur fillimisht Këshillin Drejtues të kësaj partie për Degën e Prishtinës, kurse në ditët e ardhshme ky Këshill do të zgjedhë Kryesinë, e cila më pas edhe Kryetarin e Degës.
 
Memli Krasniqi, Lirak Çelaj, dhe Shemsi Veseli, janë tre kandidatët të cilët janë në garë për të marrë drejtimin e kësaj dege, dhe fituesi pritet të jetë edhe kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës.
 
PDK, që udhëheq me shumicën e komunave të Kosovës, deri më tani nuk ka fituar zgjedhjet lokale në Prishtinë, dhe aty u shfaqën synimet që në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2013, të kërkohet besimi i prishtinasve.
 
“Ne e dimë nga vitit 2008, kur PDK-ja është në pushtet, Kosova ka ecë, por Prishtina ka ngecë. Ka ngecë për faktin se njerëzit e PDK-së nuk u është dhënë mundësia ta drejtojnë Prishtinën”, deklaron Ramadan Avdiu, Kryetar aktual i PDK-së për Prishtinë

PDK që drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi, që prej nëntorit ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor nëpër degë dhe gjatë vitit të ardhshëm, pritet që të zgjidhet edhe kryetari i partisë.

Top Channel