
Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” nisi të enjten në gjykatën themelore në Shkup, por u anulua pak minuta pas leximit të akuzës me kërkesë të palës mbrojtëse, me qëllim që të akuzuarit të njihen me akt-akuzën e ngritur kundër tyre.
Dy prej të akuzuarve do të gjykohen në mungesë, ndërsa në bankën e të akuzuarve u ulën Agim Ismailoviç, Fejzi Aziri, Rami Sejdi dhe Haki Aziri. Ata akuzohen për vrasjen e pesë peshkatarëve maqedonas më 12 prill në afërsi të liqenit të Smillkovcës.
Në seancën gjyqësore nuk mori pjesë asnjë prej familjarëve të viktimave. Sipas akt-akuzës Halil Demiri dhe vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviç, janë autorët e vrasjes, ndërsa të tjerët kanë ndihmuar rreth saj.
Në akuzë thuhet se Halil Demiri ka gjuajtur me pistoletë tetë plumba, kurse dy të tjerët kanë shtënë me pushkë automatike 13 plumba në drejtim të viktimave. Në aktakuzën e lexuar nga prokurorja Gordana Geshkovska, thuhet se të akuzuarit kanë organizuar vrasjen për të mbjellë frikë në mesin e popullatës maqedonase.
Pala mbrojtëse ka kërkuar që mbrojtja e të akuzuarve të bëhet në gjuhën shqipe. Avokati Naser Raufi tha se nuk ka asnjë dëshmi që vërteton se klientët e tij janë autorë të vrasjes.
Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” do të vazhdojë më 9 janar të vitit të ardhshëm.
Gjatë aksionit të policisë “Monstra”, të realizuar më një maj të këtij viti u arrestuan rreth 20 persona, të cilët u shpallën terroristë pak orë pas arrestimit nga ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska. Por një ditë më vonë pjesa më e madhe e tyre u lanë të lirë në mungesë provash.
Top Channel