Trupi gjykues në gjykatën e qarkut të Prishtinës ka shtyrë me dy muaj paraburgimin për Fatmir Limaj dhe tre ish-bashkëluftëtarët e tij, në kuadër të çështjes Kleçka.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Malcolm Simmons, e argumentoi vendimin me frikën nga ndërhyrja e të pandehurve në prova.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e ka cilësuar si të panevojshëm këtë zgjatje të paraburimit për ish-luftëtarët e Uçk-së.
Fatmir Limaj, Naser Shala dhe Naser e Nexhmi Krasniqi akuzohen për krime lufte ndaj popullsisë civile të kryera në fshatin Kleçkë gjatë luftës së viteve 98-99.
Ndërkohë, më herët gjatë muajit, Gjykata Supreme e Kosovës miratoi kërkesën e EULEX-it për rigjykim të plotë të çështjes “Kleçka”, duke përfshirë përveç katërshes së sipërpërmendur edhe 6 ish-pjestarë të tjerë të UÇK-së.
Trupi gjykues riktheu në gjykim lëndën kundër 6 të pandehurve Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refik Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.
Ndërkohë, Gjykata Supreme i konsideroi si të pranueshme deklaratat dhe ditarin e dëshmitarit kryesor të këtij rasti, Agim Zogaj, i njohur si “Dëshmitari X”, i cili u gjet i vdekur në shtator të vitit 2011 në Duisburg të Gjermanisë.
Një ditë më parë, kryetari i këtij institucioni, Fejzullah Hasani deklaroi se çështje si kjo e “Kleçkës” dhe të tjera të karakterit penal janë në duart e EULEX-it dhe jo në ato të hetuesve kosovarë.
Top Channel