
Afaristët serbë të veriut kanë vendosur të enjten në mbrëmje në një takim të përbashkët në veri të Mitrovicës, që tre herë në javë, përkatësisht të hënën, të mërkurën dhe të premten, nga ora 10:00 deri 12:00, të protestojnë duke bllokuar të gjitha rrugët që çojnë në veri të Kosovës.
Agjencia e lajmeve “Kosovapress”, duke u mbështetur në burimet e saj, shkruan se strukturat ilegale në veri kanë urdhëruar pronarët e të gjitha dyqaneve në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok që gjatë kësaj kohe të mbyllen.
“Përveç bllokimit të rrugëve për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, do të bllokohen edhe rrugët që çojnë në Lagjen e Boshnjakëve, pastaj zonën e Tre Rrokaqiejve, përkatësisht fshatin Suhodoll, Kodrën e Minatorëve dhe Kroin e Vitakut”, kanë thënë burimet.
Ndryshe, këto protesta janë paralajmëruar për shkak të, siç thuhet, problemeve të shumta që kanë dalë pas zbatimit të marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufijve.
Ditë më parë është bërë e ditur nga zyrtarë qeveritarë se është arritur një mirëkuptim në Bruksel, që gjatë festave të fundvitit të lejohen të hyjnë pa doganë në veri të Kosovës mallra të sasisë deri në 3.5 ton, të cilat nuk kanë për synim tregtinë apo kontrabandën, por furnizimin me ushqim dhe sende të tjera për banorët e asaj pjese.
Top Channel