
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush
Haradinaj kanë darkuar së bashku mbrëmjen e së mërkurës në një nga
restorantet e Prishtinës.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja lokale “Zëri”, që citon burime konfidenciale, të cilat megjithatë nuk kanë dhënë detaje nga biseda e zhvilluar mes tyre.
Takimi u mbajt në një kohë kur në qarqet politike kosovare flitet për një koalicion të mundshëm mes dy partive të dala nga lufta, PDK dhe AAK.
Por bashkëpunimi mes palëve është bllokuar për shkak të pretendimit të Haradinajt për të marrë postin e kryeministrit. Deklaratat e pak ditëve më parë të zyrtarëve të AAK-së linin të kuptohej se partia opozitare vazhdon ta ketë si kusht postin e kreut të qeverisë t’u inkuadruar në koalicion.
Ndërkaq, PDK-ja vlerëson se Kosova e ka një kryeministër dhe ai është Hashim Thaçi, por megjithatë zyrtarë të saj vazhdojnë të jenë të hapur për bashkëpunim të ndërsjellë.
“Ne kryeministrin e kemi. Ai është vlerësuar si një nga njerëzit më të suksesshëm. Sërish po e them që koalicioni aktual është i qëndrueshëm dhe funksional, por nuk e përjashtojmë mundësinë e zgjerimit të tij”, tha para pak ditësh kreu i grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovci.
Jashtë këtyre përllogaritjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti këmbëngul që pjesë e qeverisë do të bëhet atëherë kur të fitojë në zgjedhje.
Top Channel