
Trupi i pajetë i personit të gjetur më 9 dhjetor të këtij viti në
Mitrovicë është identifikuar nga familjarët e tij. Ai është një shtetas
nga Shqipëria, Auron Cara, i ditëlindjes së vitiit 1968 dhe banor në
Tiranë.
Policia e Kosovës ka mësuar se ky person ishte shpallur person i humbur në Policinë e Tiranës, më datë 7 dhjetor 2012.
Hetuesit e sektorit për krime të rënda në rajonin e Mitrovicës janë duke zhvilluar hetimet e autorizuara nga prokurori për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së viktimës.
Ata janë ende në pritje të raportit zyrtar të ekspertit mjekoligjor pas obduksionit, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Trupi i pajetë i 44-vjeçarit do t’i dorëzohet familjarëve të tij, gjatë ditës së sotme. Ai u gjet në ujë, në parkun e qytetit në Mitrovicë, afër stadiumit të futbollit “Riza Lushta”.
Viktima kishte të veshur pantallona xhins bojëqielli, xhaketë ngjyrë krem, këmishë të bardhë, bluzë të kaltër, këpucë ngjyrë kafe, ndërsa sytë ishin të gjelbër dhe në dorën e djathtë kishte një tatuazh.
Top Channel