
Në Kuvendin e Kosovës janë zhvilluar të enjten debate të ashpra mbi platformën e Serbisë për Kosovën, me partitë e opozitës që kanë kritikuar kryeministrin Thaçi për qëndrimin e tij.
Deputeti i LDK-së, Skënder Hyseni ka deklaruar se Thaçi nuk ka arsye pse të flasë në emër të Evropës apo të shqetësohet për faktin se platforma serbe është anti-evropiane. Sipas tij, kreu i qeverisë duhet të ushtrojë më shumë presion dhe jo të aplikojë një politikë regresive.
“Përderisa nga Beogradi ka presion dhe BE tërhiqet nga mbështetja e integritetit territorial të Kosovës, atëherë rrjedhimisht, në mungesë të presionit të Prishtinës, propozimet serbe marrin dritën e gjelbër në Bruksel”, ka thënë Hyseni.
Nga ana e tij kryeministri Thaçi është përgjigjur duke përsëritur qëndrimin e tij se platforma serbe nuk do të gjejë kurrë hapësirë për zbatim në territorin e Kosovës.
“Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do të ketë as autonomi dhe as ndarje. Ky projekt do të mbetet në sirtaret e Beogradit, apo në dëshirat e paplotësuara të lidershipit serb në raport me Kosovën”, ka thënë Thaçi.
Duke iu drejtuar deputetëve, shefi i ekzekutivit i ka ftuar ata që të mos “lajthitin” për shkak të politikave të mbrapshta të qeverisë së Beogradit.
“Idetë e tyre nuk duhet të na bëjnë të lajthitim. Dikush mund të thotë se Beogradi po lëviz me shpejtësi, por unë ju siguroj se po lëviz mbrapsht”, ka theksuar Thaçi.
Ndërsa deputeti tjetër i LDK-së, Sabri Hamiti, ka vlerësuar se për mënyrën se si do të vijojë më tej dialogu me Serbinë në Bruksel, përgjegjësi do të ketë edhe opozita.
Ndërsa Visar Ymeri, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, është shprehur se qeveria e Kosovës po ledhaton Serbinë, duke i dhënë asaj shkas për politika radikale.
“Sa më i mirë të jesh me Serbinë dhe sa më shumë ta ledhatosh atë, aq më e egër e më e keqe bëhet ajo ndaj nesh. Kjo po dëshmohet edhe aktualisht me këtë ledhatim që po ja bëni ju si qeveri”, ka thënë Ymeri duke iu drejtuar ministrave.
“Mos u mundoni ta shpërndani fajin në pistën se, meqenëse ju nuk po vini, ne po bëjmë si po bëjmë. Në këtë mënyrë po bëhet gabim”, ka vijuar Ymeri.
Top Channel