Gjyqtarët kosovarë shpëtojnë nga ndërhyrjet direkte të njerëzve të
pushtetit, falë faktit që veprat penale që ngarkojnë politikanë të
nivelit të lartë kryesisht janë në duart e gjyqtarëve të EULEX-it.

Në këtë mënyrë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani mohon ndërhyrjen e politikës në institucionin që ai drejton.

Hasani përmendi dy raste të cilat janë zgjidhur nga paneli i gjyqtarëve vendas, atë për kryetarin e Ferizajt, Bajrush Xhemajli dhe kryetarin e Kacanikut, Xhabir Zharku, në të cilat sipas tij nuk ka pasur ndërhyrje nga ndonjë zyrtar i lartë. Në këtë kuadër, nuk komentohet as rasti “Kleçka”, i cili është në kompetencë ekskluzive të gjyqtarëve të EULEX-it.

“Ju e dini që çështja “Kleçka” është kompetencë ekskluzive e gjyqtarëve të EULEX-it. Me ligj, veprat penale të kësaj natyre, që në një kohë ishin kompetencë e UNMIK-ut, tani janë të EULEX-it. Atë ligj e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës dhe nuk ka ardhur ndonjë kompetencë nga jashtë”, ka deklaruar Hasani.

Gjykata Supreme është autoriteti i cili i ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë ish-kryetarit të Kaçanikut Xhabir Zharku, i cili tani po shmanget nga dënimi me burg.

Duke folur për këtë rast, nëse është dashur apo jo që Zharkut t’i konfiskohen dokumentat e udhëtimit, Hasani ka thënë se ndërkombëtarët në shkallën e parë nuk e kanë parë të arsyeshme.

“Këtë rast e kanë në shqyrtim ndërkombëtarët. Organet e drejtësisë nuk e kanë parë të arsyeshme ta bëjnë një gjë të tillë, pasi ai i është përgjigjur çdo thirrjeje të drejtësisë, deri në çastin e fundit”, ka nënvizuar Hasani.

Në këtë konferencë kryetari i autoritetit më të lartë gjyqësor të Republikës së Kosovës foli edhe për reformat e reja në gjyqësor. Gjykata Supreme nuk do të ndryshojë strukturë dhe gjyqtarët e saj nuk do të preken gjatë fazës implementeuse të ligjit për gjykatat.

Por, sipas ligjit të ri për gjykatat, Supremja do të shkarkohet nga shumë çështje të cilat do t’i kalojnë gjykatave të nivelit themelor dhe Gjykatës së Apelit.

Nga janari i vitit 2013 Gjykata Supreme nuk do të merret më me lëndë si vazhdimi i paraburgimit apo ankesa kundër aktvendimit, ankesa penale për të mitur, kërkesa për mbrojtje gjyqësore, etj.

Ajo do të vazhdojë të merret me ankesat penale të shkallës së tretë, me qëndrime parimore dhe mendime juridike për çështjet që kanë rëndësi për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Republikës së Kosovës.

Top Channel