
Presidenti i të ashtuquajturit Këshilli për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Dreçun ka deklaruar se parakushti kryesor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës duhet të jetë që Serbia të mos e njohë kurrë pavarësinë e saj.
“Serbia duhet të njohë vetëm Rezolutën 1244 të Këshilit të Sigurimit të OKB-së dhe të kërkojë zgjidhje përmes dialogut me Prishtinën, nën ndërmjetësimin e BE-së. Mund të arrihet edhe deri në një konferencë ndërkombëtare, pasi në këtë proçes janë të përfshira fuqitë e mëdha botërore”, ka thënë Dreçun, i cituar nga mediat serbe.
Ai është shprehur se, në të gjitha pjesët ku jetojnë serbët duhet që të ndërtohen institucionet e nevojshme që duhet të financohen nga Beogradi dhe kjo të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për statusin e Kosovës.
Dreçun ka thënë gjithashtu se do të kërkojë përkrahje për trashëgiminë kulturore, pronën shtetërore në Kosovë dhe për krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e marrëdhënieve të përgjithshme ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duhet t’i stabilizojmë marrëdhëniet me Kosovën”, ka thënë ai, duke shtuar se mungesa e dialogut me Prishtinën ka nxitur projektin e Shqipërisë së Madhe.
Top Channel