
Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk e kanë komentuar platformën e Serbisë
për Kosovën, që parashikon krijimin e një entiteti serb në Kosovë,
shpërbërjen e FSK-së dhe krijimin e dy dhomave në Parlament.
Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Koçijanciç ka thënë për të përditshmen “Express” se, pozicioni i BE-së është prezantuar qartë në konkluzionet e Këshillit të Ministrave.
“Unë nuk kam asnjë koment rreth platformës. Pozicioni i BE-së është i përcaktuar qartë në konkluzionet e Këshillit të 11 dhjetorit”, ka deklaruar Koçijançiç.
Në konkluzionet e BE-së nuk përkrahet krijimi i institucioneve paralele në Kosovë, ndërkohë që Prishtinës zyrtare i kërkohet që të trajtojë problemet e serbëve në Veri.
Veç kësaj, BE ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i trajtojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e raporteve mes dy vendeve.
Një ditë më parë ishte kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi që deklaroi se platforma që Serbia ka hartuar për Kosovën i përket një mentaliteti të vjetër që vazhdon të jetë i pranishëm në Beograd, por që s’ka për të gjetur kurrë hapësirë në Kosovë.
Thaçi tha se platforma në fjalë u ngjan planeve të vjetra serbe për dëbimin e shqiptarëve nga viset e tyre dhe nuk i shërben stabilitetit në rajon.
“Edhe ky plan i ri i Beogradit nuk është diçka e re, sepse Nikoliç ka qenë pjesë e aparatit genocidial të Millosheviçit. Dua të theksoj se ky projekt nuk do të realizohet në territorin e Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Platforma e Serbisë për Kosovën, e prezantuar në ditët e fundit nga qarqet politike të Beogradit, parashikon status special për veriun e Kosovës, konkretisht një lloj entiteti të ri, siç është Republika Serbe e Bosnjës.
Top Channel