Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se platforma që Serbia ka hartuar për Kosovën i përket një mentaliteti të vjetër që vazhdon të jetë i pranishëm në Beograd, por që s’ka për të gjetur kurrë hapësirë në Kosovë.

Thaçi, i cituar nga “RTK”, ka thënë se platforma në fjalë u ngjan planeve të vjetra serbe për dëbimin e shqiptarëve nga viset e tyre dhe nuk i shërben stabilitetit në rajon.

“Edhe ky plan i ri i Beogradit nuk është diçka e re, sepse Nikoliç ka qenë pjesë e aparatit genocidial të Millosheviçit. Dua të theksoj se ky projekt nuk do të realizohet në territorin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Ai është vazhdimësi e planeve të vjetra të Beogradit në raport me Kosovën, është një plan që kthen prapa Serbinë në proçesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe është një plan që në asnjë rrethanë nuk do të mund të implementohet”, ka nënvizuar ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Thaçi ka shprehur përkushtimin e Kosovës për fqinjësi të mirë me Serbinë dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kosova do të sillet konform standarteve evropiane, konform zotimit, qëllimit dhe vizionit tonë evropian. Përgjigjia e Kosovës është shumë e qartë, shteti i Kosovës do ta respektojë Kushtetutën e vetë, ligjet e veta dhe dokumentin e Ahtisarit”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shprehur gjithashtu gatishmërinë që të vazhdohet me proçesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të axhendës së udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Platforma e Serbisë për Kosovën, e prezantuar në ditët e fundit nga qarqet politike të Beogradit, parashikon status special për veriun e Kosovës, konkretisht një lloj entiteti të ri, siç është Republika Serbe e Bosnjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA