Kosova do të vazhdojë të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Europën Juglindore, edhe gjatë vitit 2013, dhe sipas parashikimeve kjo pritet të jetë 3.3%.

Kështu parashikojnë në Bankën Botërore, ku gjatë së martës u prezantua raporti i ri për 6 shtetet e Europës Juglindore, si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.

Megjithë këtë përparësi, po sipas zyrtarëve në Kosovë të Bankës Botërore, shteti i ri vazhdon të ketë papunësinë dhe varfërinë më të lartë, krahasuar me këto shtete.

Agim Demukaj, zyrtar për hulumtime në BB për Kosovën, theksoi: “Rritja e GDP-së së Kosovës pritet që të jetë më e larta në Evropën Juglindore. Kosova ka një pozitë fiskale më të mirë se fqinjët, por ende kosovarët ende janë njerëzit më të varfër në rajon.”

Sipas Demukajt, një përparësi tjetër e Kosovës, në krahasim me shtetet e tjera të Europës Juglindore, është se Kosova vazhdon të ketë dukshëm më të ulët borxhin publik, ndërsa ka vlerësuar se edhe të ardhurat nga diaspora vazhdojnë të ndihmojnë ekonominë e Kosovës.

Në anën tjetër, i pyetur nëse Kosova do të ndikohet nga kriza në Eurozonë, Demukaj tha se efekte do të ketë: “Kur një anije sheh të tjera që po fundosen, nuk mendon se do të shpëtosh. Efekte do të ketë në vitin 2013 mendojmë.”

Duke folur për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, zyrtarë të Bankës Botërore në Kosovë thonë se paratë nuk duhet të përdoren për rritje të pagave apo për shpenzime të tjera, por të përdoren për rritjen e produktivitetit në Kosovë, si për shembull investimet kapitale, përmirësimin e cilësisë në arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Top Channel