Shefi i ekipit negociator të Serbisë në kuadër të bisedimeve me Kosovën, Dejan Paviçeviç ka deklaruar për mediat serbe se palët janë pajtuar të martën në Bruksel në lidhje me pagesën e taksave doganore sipas marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit.

Sipas tij, zbatimi në praktikë i marrëveshjes për taksat, që parashikon heqjen e doganës dhe akcizës, fillon nga 20 dhjetori dhe do të jetë e velfshme për mallrat e destinuara për komunat veriore.

“Automjetet me mall për të cilin nuk paguhet akciza mund të hyjnë pa doganim në veri të Kosovës, ashtu sikurse edhe malli i akcizës deri në tre tonë e gjysmë”, ka thënë Paviçeviç, i cituar nga “REL”.

Duke prezantuar rezultatet e takimeve të nëngrupeve punuese ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Paviçeviq ka thënë po ashtu se malli që importohet nga Serbia do të shënohet për statistikë, por ai nuk do të doganohet.

“Një marrëveshje e tillë është në harmoni me IBM-në, marrëveshje kjo e arritur në kuadër të dialogut teknik Prishtinë-Beograd, por që filloi së zbatuari pas dakordimit në dialogun e nivelit të kryeministrave të dy vendeve”, ka saktësuar kryenegociatori serb.

Ndërkaq, duke iu referuar deklaratave të serbëve të veriut se Kosova nuk po e zbaton IBM-në dhe po vendos taksa doganore, Paviçeviç ka kërcënuar Prishtinën se: “Nëse ndodh ndonjë obstruksion, Serbia është e gatshme të pezullojë marrëveshjen e IBM-së”.

Ndërkohë, deri tani qeveria e Kosovës nuk e ka konfirmuar arritjen e kësaj marrëveshjeje në lidhje me taksta doganore. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, edhe pse nuk i ka komentuar detajet e marrëveshjes ka thënë se: “Kosova ka ligjin e vet që është një zonë doganore dhe kështu do ta ketë edhe në të ardhmen”.

Ashton, e kënaqur me zbatimin e IBM-së

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton është shprehur e kënaqur me rezultatet e arritura nga grupet punuese për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

“Përfaqësuesja e lartë pret që mirëkuptimi i arritur dje të mundësojë funksionimin pa pengesa të dy vendkalimeve të hapura më 10 dhjetor dhe hapjen e dy pikave të tjera deri në fund të vitit, siç kanë rënë dakord dy kryeministrat më 4 dhjetor”, thuhet në një njoftim për shtyp të shpërndarë nga zëdhënësi i Ashton, Michael Mann.

Në njoftim thuhet gjithashtu se, puna teknike në lidhje me këto çështje do të vazhdojë më 10 janar, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës mes kryeministrave Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi më 17 janar. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA