Të gjithë e kanë parë filmin hollivudian “Gone in 60 seconds”, por pak e kanë menduar se vjedhja e një automjeti është e mundur vërtet në një kohë kaq të shkurtër.
Në fakt, një skenar i tillë nuk është pjesë e ndonjë filmi, por një vjedhje në jetën reale. Nëse flasim për teknikat e hapjes dhe më pas ndezjes së mjetit, janë disa, por sipas policisë, një lloj grabitjeje po kryeson prej kohësh listën e “zhdukjes” së automjeteve. Flasim pikërisht për atë që policia e ka quajtur “vjedhje e automjeteve me bllokazh të ndezur”.
Gjithçka nis kur një qytetar i thjeshtë, pasi parkon makinën në rrugë për të blerë diçka apo për ndonjë shërbim, ndez bllokazhin dhe del nga mjeti duke menduar të rikthehet prapë aty në pak sekonda. Pikërisht në këtë moment, keqbërësi afrohet me shpejtësi për të marrë makinën që praktikisht i është “servirur” pasi çelësat janë ende në mjet.
Sipas burimeve policore, mësohet se metropoli është kthyer së fundmi në vendin më të preferuar për grabitësit e automjeteve luksoze dhe jo vetëm. Mesatarisht, në Tiranë grabiten 3 automjete në ditë, ndërsa zbulueshmëria është ende e vogël. Ndryshe nga skenarët e filmave ku grabitësit preferojnë natën për të humbur gjurmët, grabitjet bëhen në mes të ditës, nën hundën e pronarëve të cilët shohin dëshpërimisht mjetin e tyre të largohet me një të panjohur në timon.
Sistemi funksionon në atë mënyrë që një ekip vjedh veturën, tjetri e demonton, ndërsa ekipi i tretë përbëhet nga pronarët e pjesëve që i shesin.
“Viktima” të vjedhjeve me këtë teknikë janë njerëz të thjeshtë, por nuk mungojnë dhe emra të njohur si Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, deputeti Eduart Shalsi, apo dhe njerez të medias. Burimet policore thonë se kryesisht, vjedhja e veturës, në varësi nga sistemi i mbrojtjes, zgjat nga 20 sekonda deri më së shumti 10 minuta, ndërsa më shpejt vidhen vetura të klasit të ulët, pjesët e të cilave shiten më lehtë në tregje. Po sipas burimeve policore, sistemi i vjedhjes dhe çmontimit të automobilave është shumë profesional dhe i shpejtë, pasi veturat e vjedhura si “Audi” apo “Mercedes” demontohen brenda natës, deri tek pjesët më të imta, ndërkohë që denoncimet e qytetarëve arkivohen në databazën e policisë.
Rrugët e trafikimit të mjeteve të vjedhura
Sipas zyrës së Europolit, e cila është Agjensia e Zbatimit të Ligjit në Bashkimin Europian, trafikimi i makinave të vjedhura në Ballkan është një biznes që prodhon miliona euro çdo vit. Kompanitë e siguracioneve të BE-së njoftojnë se rreth 130,000 makina vidhen çdo vit nga Ballkani, ndërsa për Bashkimin Europian kjo shifër është 1.2 milionë makina brenda vitit.
Kufijtë e hapur të Europës bëjnë që hajdutët të cilët vjedhin një makinë në një nga 27 vendet e BE-së, ta ngasin atë në një vend fqinj duke e rishitur me pak vështirësi. Raporti i Europolit thotë se gjysma e makinave të vjedhura trafikohen në vendet fqinje duke krijuar 6.75 miliardë euro në të ardhura vjetore.
Gjuha e përbashkët, gjeografia dhe kultura e njëjtë, ndihmojnë grupet kriminale të Ballkanit që të punojnë së bashku duke intensifikuar aktivitetin kriminal. Të dhënat flasin për grabitës që synojnë mjete luksoze si Mercedes-Benz , Audi, BMË, Golf, të cilat zakonisht çmontohen dhe shiten me pjesë. Duke iu referuar statistikave, mësohet se në gjysmën e parë të vitit 2012, në Ballkan u vodhën 526 makina, 30% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë viteve të shkuara, autoritetet e Europolit kanë bllokuar në mënyrë të përsëritur automjete të vjedhura në vendet e Europës Perëndimore, të cilat ishin identifikuar si të humbura nga pronarët e ndryshëm apo nga kompanitë e sigurimeve. Një skemë e tillë vjedhjeje, sipas hetuesve, funksionon shumë thjeshtë. Pronari i mjetit i cili e ka blerë atë me kredi bankare ose Leasing, nëpërmjet bankës, apo një kompanie konçesionare, ia shet një personi që e trafikon në një shtet.
Mjetet shiten përgjithësisht me një të tretën ose gjysmën e vlerës reale të mjetit. Disa ditë pasi automjeti është targuar, apo është zhdoganuar, pronari i mjetit denoncon në polici vjedhjen e mjetit. Në këtë rast, personi denoncues merr si dëmshpërblim nga kompania siguruese vlerën e dëmit. Edhe pse skema në dukje është funksionale, lista e personave të dënuar çdo vit për trafikim mjetesh motorike, dëshmon se kjo vepër penale mund të zbutet, por jo të shuhet totalisht.
Këshilla për të shmangur vjedhjen e makinës
Nga viti në vit, numri i makinave të vjedhura të cilat raportohen si të zhdukura është i lartë, por çfarë këshillash duhet të dijë një qytetar i thjeshtë që të ketë një automjet të sigurt nga hajdutët.
Së pari, çdo makinë duhet të ketë të instaluar një sistem alarmi akustik. Njerëzit shpesh herë e neglizhojnë instalimin e kësaj pajisjeje, por në fakt të dhënat flasin se sistemi i alarmit ka qenë “planprishësi” për shumë hajdutë makinash.
Së dyti, një drejtues mjeti, në momentin që fik makinën, duhet të sigurohet që të gjitha xhamat e mjetit të jenë të ngritur kur largohet nga mjeti. Grabitësit pikasin makina ku njëri nga xhamat është pak i hapur dhe më pas duke përdorur tela hapin dyert e makinës.
Së treti, në momentin që mbyllni mjetin, mos lini gjëra të kushtueshme brenda në mjet. Hajdutët “joshen” nga këto objekte.
Së katërti, instaloni një sistem GPS (pozicioni gjeografik satelitar) për të gjetur vendodhjen e automjetit në çdo pikë gjeografike.
Së pesti, nëse largoheni nga mjeti për një kohë të shkurtër, sigurohuni që të hiqni çelësat nga kuadri, për t’i rivënë në momentin që futeni në mjet.
Së gjashti, mundohuni të parkoni në vende publike duke shmangur në këtë mënyrë vendet e futura dhe pa ndriçim.
Nëse ndiqen këto udhëzime me kujdes, hajdutët e mjeteve do ta kenë gjithmonë e më të vështirë për të vjedhur një mjet pasi numri i gabimeve njerëzore nga ana e pronarëve do të jetë shumë i vogël.
Top Channel