
Kthetrat e borxhit që kanë mbërthyer Shqipërinë, përfshi korrupsionin që
nuk ndalet, i certifikuar nga organizmat ndërkombëtare ishin dy nga
cështjet që kryesocialisti Edi Rama vendosi në fokus të një
bashkëbisedimi të gjatë me përfaqësues të Konfederaten e Sindikatave
shqiptare ne qytetin e Rrëshenit.
“Ky borxh ka kapërcyer 3000 euro. Ky borxh i kushton një familjeje sot 800 mijë lekë në vit për shpenzimet e borxhit. Janë 800 mijë lekë që mungojnë në ekonomi, janë 800 mijë lekë që mungojnë në arkën e shqiptarëve për shkak se shkojnë për shpenzimet e borxhit. Ky borxh është një gropë e madhe ku Shqipëria rrezikon të bjerë dhe të ndodhet në një situatë që sot ne nuk e parashohim dot”, tha Rama.
Sipas shefit të opozitës shqiptare vendi sot po shkon në drejtim të gabuar duke njohur regres pasi tashmë është botërisht më i korruptuari, më i papuni dhe më i pashpresë.
“Ajo që ne angazhohemi të bëjmë, është që së pari të vendosim të vërtetën në themelin e punës së qeverisë dhe të marrëdhënieve të njerëzve me qeverinë, duke i dhënë fund historisë së shifrave të manipuluara të punësimit, të rritjes ekonomike të cilësisë së shërbimeve dhe duke hapur një kapitull ku e vërteta sado e hidhur që të jetë, duhet të jetë themeli i punës së qeverisë dhe i marrëdhënieve të qeverisë me publikun”, tha Rama.
Gjatë bashkëbisedimit Rama foli për nevojën e një rotacioni politik në 2013-n për të mbyllur një kapitull 8-vjeçar keqqeverisje dhe sjellë shpresë nëpërmjet një vizioni e modeli të ri qeverisës.
“Dua t’ju them se arsyeja pse unë jam vendosmërisht i angazhuar në këtë përpjekje nuk është që me votën e shqiptarëve të iki një kryeministër që i ka dal dhe kurrizi dhe të vij një kryeministër edhe më i gjatë. Nuk është ky qëllimi. Nuk është qëllimi as që të ikin disa që tundin një flamur blu e të vijnë disa që tundin një flamur lejla. Qëllimi është që të mbyllim një kapitull dhe të hapim një kapitull tjetër. Për këtë arsye të gjithë ju jeni shumë të rëndësishëm në këtë proces sepse të gjithë ju jeni zëra të kurajos dhe të shpresës. Unë do kërkoja që ju të bëheni zëdhënësit e këtij projekti. Të bëheni mbrojtësit e kësaj shprese dhe të bëheni fuqia e këtij besimi se gjërat mund të bëhen ndryshe dhe gjërat do ndryshojnë”, u shpreh Rama.
Top Channel