
Kuvendi miratoi me 72 vota të maxhorancës dhe mes debateve të ashpra buxhetin e shtetit për vitin 2013. Përpara se të kalohej në votimin nen për nen, opozita propozoi disa amendime të draftit.
“Propozimi ynë konsiston në tre pika: 1- detyrimin e Këshillit të Ministrave që të paraqesë në Kuvend një plan të ri buxheti; 2- që plani të përfshijë uljen e borxhit; dhe 3- pagimin e faturave të prapambetura dhe rritjen e investimeve në arsim e shëndetësi”, deklaroi deputetja Mimi Kodheli.
Amendamentet u hoëdhn poshtë nga maxhoranca, deputetët e të cilës ja lanë qeverisë kompetencat e plota për të përdorur paratë e privatizimeve.
“Ato që propozoi opozita janë të përfshira në nenin 9, që kufiri i borxhit publik do përdoret për të rritur shlyerjen e borxheve kapitale, hapjen e investimeve të reja, ose uljen e borxhit sipas rrethanave dhe mundësive”, deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode.
Një tjetër pikë e fortë debati ishte neni që i jep të drejtën qeverisë të rishpërndajë deri në dhjetë për qind të fondeve totale të buxhetit në zëra të ndryshëm. Erjon Braçe tha se kjo skemë përmbys buxhetin dhe copëzon investimet, duke marrë si shembull rrugët në qarkun e Beratit.
“Qeveria ka demonstruar në vite elektorale se e përmbys buxhetin. Ju po i hidhni paratë dëm. E keni provuar këtë strategji disa herë por keni dështuar. Unë them që këtë të drejtë ekskluzive që po merr Kuvendi ta heqim me votim”, deklaroi Braçe.
“Likuiditeti i këtij buxheti është jashtëzakonisht i madh dhe askush nuk mund të bëjë përmbysje të këtij buxheti në Kuvend. Ato që mund të rialokohen janë simbolike”, replikoi ministri Bode.
Buxheti i vitit elektoral 2013 rikthen shpenzimet e larta të qeverisë dhe rrit borxhin publik në 62.6 për qind të prodhimit kombëtar.
Top Channel