ERE, në pritje të vendimit për licensën e CEZ

17/12/2012 00:00

Do të duhen edhe tre ditë të tjera që Enti Rregullator i Energjisë të
marrë vendimin përfundimtar mbi licensën e kompanisë së shpërndarjes
CEZ.

Në datën 16 nëntor, komisionerët e ERE votuan për nisjen e procedurave për heqjen e licensës së kompanisë ceke.Kjo nënkupton se brenda një muaji, CEZ-it duhet të plotësojë katër kushte; rifillimin e importit të energjisë elektrike; dorëzimin e bilancit financiar të audituar për vitin 2011; të mos ndërmarrë ndërprerje kolektive të energjisë elektrike dhe të normalizojë bilancet financiare.

Sipas ERE, këto kërkesa i janë dërguar kompanisë CEZ-it në datën 20 nëntor çka nënkupton se afati i fundit për plotësimin e tyre është data 20 dhjetor. Një ditë më parë Qeveria kërcënoi haptazi drejtuesit e kompanisë CEZ dhe të gjithë punonjësit e saj se do të përballen me masa të forta ligjore deri në ndjekje penale nëse vazhdojnë me kufizimet e paligjshme të energjisë elektrike të cilat zëvendësministri i Energjetikës, Enno Bozdo i quajti të qëllimshme ose për shkak të neglizhencës së kompanisë CEZ-it për të përmbushur detyrimet e saj ligjore.

Top Channel