Prokurori i ri egjiptian, i emëruar muajin e kaluar nga presidentit Mohamed Morsi, dha dorëheqjen pas protestave të juristëve dhe opozitës kundër tij.
Talaat Ibrahim u caktua në postin e kryeprokurorit pas një manovre ligjore të presidentit Morsi që shkarkoi Abdel Maguid Mahmoud. Opozita e cilësoi shkarkimin e tij si cënim të pavarësisë së organit hetimor, por presidenti u mbrojt duke deklaruar pakënaqësi ndaj punës së prokurorisë për dënimin e ish-zyrtarëve të regjimit të Mubarak.
Të hënën, gjykatës, prokurorë, avokatë dhe juristë u mblodhën para zyrës së prokurorit të ri duke hedhur parrulla për dorëheqjen e tij. Një grup personash u ndaluan nga forcat e sigurisë për të hyrë në ndërtesë.
Dorëheqja e Ibrahim pritet t’i paraqitet ditën e dielë Këshillit Suprem të Drejtësisë.
Të shtunën, egjiptanët votuan për projekt-kushtetutën e re, një nismë e presidentit Morsi që kritikohet ashpër nga opozita, si kushtetutë që vendos regjim diktatorial. Rezultatet e referendumit do të kërkojnë kohë për t’u bërë publike, ndërsa vetë projekt-kushtetuta dhe një dekret i mëhershëm i presidentit që zhvishte nga fuqitë të gjitha institucionet e tjera për të shfuqizuar vendimet e tij, ngjallën protesta të dhunshme në Kajro dhe qytetet e tjera egjiptiane.
Top Channel